Policia: Gjashtë zyrtarë të lënduar dhe 11 protestues kërkuan ndihmë mjekësore
Gjashtë zyrtarë policorë janë lënduar, ndërsa 11 qytetarë/protestues kanë kërkuar ndihmë mjekësore gjatë protestës së zhvilluar sonte pranë institucioneve shtetërore në Prishtinë.
Sipas Policisë së Kosovës, disa protestues kanë hedhur vazhdimisht mjete piroteknike, fishekzjarre dhe mjete të forta në drejtim të objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, si dhe në disa raste ndaj zyrtarëve policorë, transmeton Zeri.info.
Për shkak të situatës, Policia thotë se është detyruar të ndërhyjë disa herë duke përdorur pajisjet policore, përfshirë gazin lotsjellës dhe topin e ujit për shpërndarjen e turmës.
Si pasojë e zhvillimeve dhe mosrespektimit të thirrjeve të policisë për qetësi, tre protestues janë shoqëruar në stacion policor. Policia ka bërë të ditur se veprimet e mëtejme ndaj tyre do të ndërmerren në koordinim me organet e drejtësisë.
Ndërkohë, për shkak të situatës së krijuar, në intervale të ndryshme është ndërprerë qarkullimi i automjeteve në disa rrugë përreth qendrës së Prishtinës.
Policia thekson se nuk ka ndërhyrë ndaj personave që kanë protestuar në mënyrë të qetë dhe demokratike, duke thënë se veprimet janë ndërmarrë vetëm në rastet kur protestuesit kanë shfaqur dhunë ndaj institucioneve ose zyrtarëve policorë.
Protesta, sipas Policisë, po vazhdon edhe në orët e vona, por aktualisht situata është e qetë. Zyrtarët policorë mbeten në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike./Zëri