Fitore Pacolli: Si do t’i mbrojnë krerët e UÇK-së pa president e në fushatë zgjedhore?
Foto: Laura Hasani

Fitore Pacolli: Si do t’i mbrojnë krerët e UÇK-së pa president e në fushatë zgjedhore?

Aktuale October 05, 2026 - 23:51

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka kritikuar mënyrën se si, sipas saj, po trajtohet çështja e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Pacolli ka ngritur pikëpyetje se si mund të mbrohen ata në Hagë pa funksionalizimin e institucioneve dhe në një situatë ku vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve.

“E qysh po ua merr mendja me i mbrojtë ata në Hagë, pa president e në fushatë zgjedhore?”, ka shkruar Pacolli.

Ajo ka akuzuar kundërshtarët politikë se po e përdorin çështjen e ish-krerëve të UÇK-së për qëllime elektorale.

“Kë po dojnë me e mbrojtë kështu? Se ata në Hagë, jo që nuk po i mbrojnë, por po i keqpërdorin për fushatë”, ka deklaruar ajo.

Pacolli ka thënë se përpjekja për ta barazuar fatin politik të një partie me fatin historik të UÇK-së përbën, sipas saj, keqpërdorim të luftës për interesa partiake.

“Përpjekja për ta barazuar fatin politik të një partie me fatin historik të UÇK-së është keqpërdorim i luftës për interesa të ngushta partiake”, ka shkruar ministrja.

Ajo ka përsëritur se ka qenë dhe është kundër Gjykatës Speciale.

“Ne kemi qenë dhe jemi kundër kësaj Gjykate”, ka theksuar Pacolli.

Sipas saj, mënyra më e mirë për të mbrojtur krerët e UÇK-së në Hagë është funksionalizimi i institucioneve të Kosovës dhe bashkëpunimi institucional për mbrojtjen e luftës çlirimtare.

“Mënyra më e mirë për t’i mbrojtur krerët e UÇK-së në Hagë është t’i funksionalizojmë institucionet e Kosovës dhe të punojmë bashkë në mbrojtjen e luftës çlirimtare të Kosovës, e cila ishte e drejtë dhe e pastër”, ka përfunduar ajo.