Çlirim Haziri deklarohet për protestën e mbrëmshme: Më vjen keq për incidentet
Organizatori i protestës, Çlirim Haziri, është deklaruar sot për zhvillimet e mbrëmshme gjatë protestës para Kuvendit të Kosovës, duke thënë se i vjen keq për incidentet e ndodhura.
Haziri ka përmendur edhe rastin e një deputeti të Lëvizjes Vetëvendosje, transmeton Zeri.info.
“Mua më vjen keq për të gjitha incidentet që kanë ndodhur dje, gjithashtu edhe për një deputet të LVV-së, i cili me sa duket ishte edhe familjar i një dëshmori. Më vjen keq shumë, ma kanë marrë nga dora protestuesit, por ishte një provokim që ndodhte në momentet e tensionuara”, ka thënë Haziri.
Ai ka deklaruar se organizatorët, sipas tij, janë përpjekur vazhdimisht që protesta të zhvillohej në mënyrë të qetë, ndërsa ka kritikuar veprimet e Policisë pas përdorimit të gazit lotsjellës.
“Jemi munduar në vazhdimësi që protesta të jetë e qetë deri në momentin kur Policia ka përdorur gaz lotsjellës. Njërit nga shokët tanë ia kanë thyer këmbën duke e gjuajtur në trup. Përveç që nuk është e lejuar, nuk është as njerëzore”, është shprehur Haziri. /Zëri