IPK-ja nis hetim preliminar për veprimet policore gjatë protestës
Foto: Laura Hasani

IPK-ja nis hetim preliminar për veprimet policore gjatë protestës

Aktuale October 06, 2026 - 11:50

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur hetim preliminar për të vlerësuar veprimet e zyrtarëve policorë dhe përdorimin e forcës gjatë protestës së mbrëmshme pranë objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

IPK-ja ka bërë të ditur se, në kuadër të mandatit ligjor dhe sipas detyrës zyrtare, ka monitoruar nga afër angazhimet dhe reagimin e Policisë gjatë menaxhimit të protestës, transmeton Zeri.info.

“IPK-ja ka aktivizuar planin operativ dhe ka angazhuar zyrtarët e saj, të cilët kanë përcjellë nga afër mënyrën e menaxhimit të protestës, ndërveprimin e zyrtarëve policorë me protestuesit, përdorimin e forcës, si dhe përdorimin e pajisjeve dhe mjeteve të tjera të autorizuara”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, hetuesit e IPK-së kanë pranuar edhe një ankesë, të përcjellë përmes Policisë së Kosovës, në të cilën një qytetar pretendon për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës.

Hetimi preliminar është iniciuar bazuar në të dhënat e siguruara gjatë monitorimit, pamjet e publikuara në media dhe burime të tjera relevante.

“IPK-ja do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në kuadër të mandatit ligjor për të sqaruar rrethanat dhe bazuar në gjetjet e hetimit preliminar, do të vlerësojë hapat e mëtejmë që mund të ndërmerren”, thuhet në njoftim.

IPK-ja ka theksuar se do ta ushtrojë mandatin në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të pavarur, me qëllim të vlerësimit të ligjshmërisë së veprimeve policore dhe respektimit të të drejtave të qytetarëve. /Zëri