Kurti: Ta zgjedhim presidentin dhe gjithë energjinë tonë t’ia kushtojmë mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se çështja e dënimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë nuk është ndërlidhur asnjëherë me zhvillimet e brendshme politike dhe institucionale në Kosovë.
Kurti tha se çështja e katër të dënuarve në shkallën e parë duhet të trajtohet përmes procesit të apelit, ndërsa theksoi se bëhet fjalë për tema që, sipas tij, tejkalojnë interesat partiake.
“Çështjen e dënimit të krerëve në Hagë ne asnjëherë nuk e kemi ndërlidhur me zhvillimet e brendshme politike e institucionale e as me çështjen e presidentit. Këto janë tema që i tejkalojnë partitë, janë çështje të interesit të përbashkët”, tha Kurti.
Ai u shpreh se beson në korrigjimin e vendimit në shkallën e apelit.
“Për katër të dënuarit në shkallë të parë, ne besojmë në korrigjim në apel”, deklaroi ai, transmeton Zeri.info.
Megjithatë, Kurti tha se Kosova aktualisht përballet me një pengesë të rëndësishme institucionale, duke iu referuar moszgjedhjes së presidentit të ri.
“Nuk mund t’i mohojmë pengesat që i kemi përpara, që i kemi të gjithë së bashku, pra çështjen e presidentit apo presidentes së re. Sepse moszgjedhja na çon në zgjedhje dhe na pamundëson të gjithëve që të merremi me strategjinë tonë kombëtare, por edhe me apelin”, tha ai.
Sipas Kurtit, zgjedhja e presidentit është emergjente për të shmangur një periudhë të re zgjedhore dhe për t’u përqendruar në çështjen e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
“Pa president, sot Kosova për muaj të tërë është në zgjedhje dhe pa institucione funksionale. Në këto rrethana është emergjente çështja e presidentit, që ta heqim këtë presion dhe ta kemi gjithë energjinë dhe mendjen te mbrojtja e luftës sonë për liri dhe ish-krerët e UÇK-së në Hagë”, tha Kurti. /Zëri