Reçica i PDK-së për ofertën e Kurtit: Nuk mund të flitet me këtë gjuhë
Foto: Laura Hasani

Reçica i PDK-së për ofertën e Kurtit: Nuk mund të flitet me këtë gjuhë

Aktuale October 06, 2026 - 16:39

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Elmi Reçica, tha se partia dhe kryetari i saj, Bedri Hamza, në të gjitha takimet ia ka bërë të qartë kryeministrit Albin Kurti se, së pari duhet të votohet në lexim të dytë të ligji për Gjykatën Speciale, pastaj të flitet për presidentin.

Në një përgjigje për Radio Evropa e Lirë rreth ofertës së Kurtit për PDK-në që të garantojë votën e së paku gjysmës së deputetëve të saj për zgjedhjen e Bekim Sejdiut president, ai tha se “nuk mund të flitet me atë gjuhë që të ndahet gjysma e deputetëve.”

“Nuk janë ato pazare, nuk kemi dalë ne kështu të marrim dhe të japim një pjesë të deputetëve tanë”, tha ai.

I pyetur nëse kjo përbën refuzim të ofertës nga PDK-ja, ai tha se nuk mund të flasë në emër të partisë teksa përsëriti se “nuk mund të ndahet dhe s'ndahet grupi parlamentar i PDK-së, pavarësisht që secili deputet e ka të drejtën të lirë që të përcaktohet çka voton”.

Ai shtoi se e sheh të panevojshme që PDK-ja t'i përgjigjet Kurtit për ofertën, sepse, sipas tij, qëndrimi i tyre është qartë.