Hamza për çështjen e presidentit: Kemi më shumë se një emër brenda PDK-së
Foto: Laura Hasani

Hamza për çështjen e presidentit: Kemi më shumë se një emër brenda PDK-së

Aktuale October 06, 2026 - 17:36

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se presidenti i ardhshëm duhet të ketë karakteristikat dhe atributet e duhura për ta përfaqësuar Kosovën, duke theksuar se vendit nuk i nevojitet një president që merret me emërime institucionale pa i përmbushur përgjegjësitë e postit.

Hamza ka bërë të ditur se PDK-ja ka më shumë se një emër potencial për president, ndërsa ka thënë se dakordimi do të varet nga profili për të cilin mund të arrihet pajtim politik.

“Po për Partinë Demokratike të Kosovës është me rëndësi që presidenti apo presidentja me i pasë karakteristikat dhe atributet që është një përfaqësuese i denjë për postin e presidentit dhe reprezenton vendin në mënyrë më të mirë të mundshme. Neve nuk na nevojitet një president apo presidente, a e dekreton një prokuror, a një auditor, apo një gjyqtar, pa e kryer punën për të cilën është zgjedhur”, tha ai.

Hamza tha se brenda PDK-së ka disa emra, duke theksuar se mund të diskutohet për një president politik ose për një figurë me përvojë në udhëheqjen e institucioneve të larta shtetërore.

“Kemi më shumë se një emër. Tash varet a kishim me u dakorduar për një president politik, a një president i cili ka qenë apo presidente pjesë e politikës dhe nuk është, apo për një president apo presidente e cila ka mund me qenë pjesë e udhëheqjes së institucioneve të larta shtetërore dhe ka një background edhe një përgatitje që mund me ushtru me plot sukses postin e presidentit”, tha ai.