Bloomberg: Shiroka-Pula shmangu zgjedhjet e parakohshme
Mediumi amerikan Bloomberg kushton artikull zgjedhjes së Justina Shiroka Pulës presidente të Kosovës, duke e paraqitur votimin si një zhvillim që i dha fund pasigurisë politike dhe shmangu mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Sipas artikullit, Shiroka-Pula u zgjodh të mërkurën në orët e para të ditës me 81 vota në Kuvendin prej 120 deputetësh, vetëm një votë mbi numrin e nevojshëm. Dështimi për zgjedhjen e presidentit do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme, një skenar që Kosova e kishte përjetuar edhe në qershor.
Zgjedhja e saj erdhi në një periudhë të re të pasigurisë politike, ndërsa presidentja e re, ekonomiste dhe akademike, pritet të ketë një rol kryesisht ceremonial. Megjithatë, Presidenca në Kosovë ka qenë shpesh në qendër të krizave politike, pasi zgjedhja e presidentit kërkon një shumicë të kualifikuar në Kuvend.
Bloomberg vë në pah edhe marrëveshjen politike që i parapriu zgjedhjes së Shiroka-Pulës, mes partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit dhe Partisë Demokratike të Kosovës, në një kohë kur në vend është rritur debati për kompetencat e Dhomave të Specializuara në Hagë.
Artikulli rikujton se më 16 shtator, Gjykata Speciale dënoi ish-presidentin Hashim Thaçi dhe tre ish-krerë të tjerë të UÇK-së me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte.
Pas zgjedhjes, Shiroka-Pula u zotua se Presidenca do t’u përkasë të gjithë qytetarëve.
“Ky mandat nuk i përket vetëm një personi. U përket qytetarëve tanë. Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve”, tha ajo pas votimit.
Shiroka Pula, e lindur në vitin 1953, është presidente e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe profesoreshë e ekonomisë. Ajo ka shërbyer edhe si ministre e Ekonomisë gjatë viteve 2008–2011.