Çitaku: Kuvendi nderoi UÇK-në, vetveten dhe shtetin - Kosova pranë ish-krerëve të UÇK-së

Çitaku: Kuvendi nderoi UÇK-në, vetveten dhe shtetin - Kosova pranë ish-krerëve të UÇK-së

Aktuale October 07, 2026 - 11:23

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas miratimit të dy vendimeve nga Kuvendi i Kosovës, duke i cilësuar ato si një moment të rëndësishëm për vendin dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Çitaku ka thënë se me këto vendime, Kuvendi “nderoi UÇK-në, vetveten dhe shtetin”, ndërsa ka përshëndetur edhe zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës në pozitën e presidentes së re të Kosovës, transmeton Zeri.info.

“Sot, Kosova ka një ligj që mbron Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe një Presidente të re, Justina Shiroka Pula – një zonjë të dashur e të nderuar, me të cilën na lidhin shumë vite bashkëpunimi dhe miqësie”, shkroi Çitaku.

Ajo ka vlerësuar se vendimet e Kuvendit erdhën edhe si rezultat i presionit dhe zërit të qytetarëve.

“Mbrëmë fitoi edhe zëri i qytetarëve. Zëri që nuk u ndal dhe që u bë obligim për institucionet”, deklaroi ajo.

Duke iu referuar procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë, Çitaku ka thënë se angazhimi i institucioneve duhet të vazhdojë në mbështetje të betejës për drejtësi në apel.

“UÇK-ja na bashkoi sërish. Le të na mbajë të bashkuar rreth historisë së lavdishme të vendit tonë, deri në drejtësi dhe liri për çlirimtarët”, shkroi ajo.

Çitaku e ka cilësuar këtë si “një kthesë të rëndësishme, të shumëpritur dhe të nevojshme”, duke kërkuar që shteti të vazhdojë angazhimin me të gjitha kapacitetet në procesin e apelimit.

“Kjo fitore e shtetit të Kosovës u dedikohet Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Një mesazh për ta: Kosova është pranë jush”, shkroi Çitaku.

Ajo e ka përmbyllur reagimin me urimin: “Urime, Kosovë! Me UÇK-në në zemër”. /Zëri