IKD: Njoftimi i Kocit për zgjedhjen e presidentit nuk inicion rast në Kushtetuese
Njoftimi që avokati Arianit Koci dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese për moszbatimin e aktgjykimit lidhur me afatin për zgjedhjen e presidentit nuk inicion vetvetiu një rast të ri në këtë gjykatë, vlerëson Naim Jakaj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).
Koci njoftoi të mërkurën se kishte depozituar në Gjykatën Kushtetuese një njoftim lidhur me, siç tha ai, moszbatimin e aktgjykimit për zgjedhjen e presidentes.
Kjo gjykatë kishte përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit përfundonte më 6 tetor, por votimi për presidenten përfundoi pas mesnatës, në 00:07.
“Një qytetar ose avokat mund ta njoftojë Gjykatën, por nuk mund të kërkojë në emër të vet vlerësimin abstrakt të kushtetutshmërisë së veprimeve të Kuvendit. Për këtë kërkohen palët e autorizuara nga Kushtetuta, ndër to të paktën dhjetë deputetë të Kuvendit”, tha Jakaj për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, njoftimi i Kocit mund të shërbejë si sinjalizim për moszbatimin e aktgjykimit, por nuk përbën një kërkesë formale që e detyron Gjykatën Kushtetuese të hapë një rast të ri.
Ai tha se, për rastin konkret, mund të kërkohet qartësi edhe nga Gjykata Kushtetuese, duke pasur parasysh zhvillimet pas përfundimit të afatit të përcaktuar prej saj.
“Aktgjykimi i kësaj gjykate e kishte përcaktuar qartë se afati për zgjedhjen e presidentit përfundonte më 6 tetor dhe se procedura duhej të zhvillohej e të përfundohej brenda këtij afati”, tha Jakaj.
Radio Evropa e Lirë ka pyetur Avokatin e Popullit nëse do ta dërgojë çështjen në Kushtetuese, por nuk ka marrë përgjigje deri tani.
Në anën tjetër, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, tha qysh dje se kjo parti nuk do të iniciojë rast në Gjykatën Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e presidentes pas përfundimit të afatit.
Njohësi i zhvillimeve, Eugen Cakolli, shkroi në Facebook se të vetmit që mund ta dërgojnë këtë rast në Kushtetuese janë së paku dhjetë deputetë dhe ata duhet ta bëjnë brenda tetë ditësh.
"Nëse brenda këtij afati nuk parashtrohet kërkesë, kjo rrugë e kontestimit mbyllet", shkroi Cakolli.
Një vit më parë, Lista Serbe kishte përdorur mundësinë që u jepet deputetëve nga neni 113 i Kushtetutës për t’iu drejtuar Kushtetueses. Kërkesa ishte nënshkruar nga dhjetë deputetë, nëntë prej tyre nga Lista Serbe dhe një, Adem Hoxha, jashtë kësaj liste.
Ai rast kishte të bënte me procedurën e zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb. Deputeti serb i i partisë Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, ishte zgjedhur nënkryetar i Kuvendit, pa u propozuar nga shumica e deputetëve të komunitetit serb.
Çfarë ndodhi më 6 tetor?
Kuvendi i Kosovës e nisi procedurën për zgjedhjen e presidentes në orët e vona të 6 tetorit, ditën kur përfundonte afati 60-ditor i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Votimi për presidenten nisi në orën 23:55. Në orën 00:13 të 7 tetorit, Kuvendi shpalli se Justina Shiroka-Pula ishte zgjedhur presidente me 81 vota.
Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin për rastet KO256/26 dhe KO258/26, kishte konstatuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit kishte filluar më 8 gusht dhe përfundonte më 6 tetor.
Para votimit, juristë të intervistuar nga Radio Evropa e Lirë kishin thënë se procedura për zgjedhjen e presidentit duhej të përfundonte brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Ehat Miftaraj nga IKD-ja kishte thënë se në rast se presidenti nuk zgjidhej brenda këtij afati, pasoja ishte shpërndarja e Kuvendit.
Tani, sipas Jakajt, mbetet e mundur që çështja të kërkojë një vlerësim të Gjykatës Kushtetuese, por njoftimi i Kocit, në vetvete, nuk e nis një procedurë të tillë.