45% e qytetarëve në Kosovë përdorin ChatGPT, 73% e pyetjeve të tyre janë private
Përdorimi i ChatGPT në Kosovë është dukshëm mbi mesataren e përdoruesve të Bashkimit Evropian.
Shifrat që i ka shpalos, profesori dhe studiuesi, Dominik Kanbach, në konferencën PRIME, me temën “Two Steps Forward and No Stepping Back”, me fokus në sipërmarrjen strategjike si shtytës të transformimit të dyfishtë tregojnë që popullata është drejtuar drejt së ardhmes.
Kanbach, e sheh si pozitive këtë dukuri.
“Në Bashkimin Evropian, rreth një e treta e njerëzve në popullatë e përdorin inteligjencën artificiale shpesh. Në Kosovë, statistikat e fundit thonë se janë pothuajse 45%. Pra, është shumë mbi mesataren e Bashkimit Evropian. Kjo ndoshta është një fakt befasues për dikë, por unë thashë: kjo është diçka e mirë. Kjo tregon se sa e orientuar drejt së ardhmes dhe sa e prirur ndaj teknologjisë është Kosova. Dhe, padyshim, mendoj se është gjithashtu një popullatë e re dhe shumë e orientuar drejt së ardhmes. Kjo është një aset”, ka thënë Kanbach.
Kanbach ka treguar se përdorimi i inteligjencës artificiale nuk kufizohet vetëm në punë, por një pjesë e madhe e ndërveprimeve me mjete si ChatGPT lidhen me nevojat e jetës së përditshme.
Sipas tij, rreth 73% e kërkesave që q i bëjnë ChatGPT-së janë të natyrës private, duke përfshirë pyetje për orientim, blerje, çështje mjekësore dhe këshilla.
Kanbach: 73% e gjërave që njerëzit po e pyesin ChatGPT-në janë private
“73% e gjërave që njerëzit po e pyesin ChatGPT-në janë private, gjëra si: si të shkoj atje, ku mund ta blej këtë, pyetje mjekësore, apo këshilla. Tre të katërtat. Kjo është shumë”, ka deklaruar ai.
Kanbach ka thënë se kjo tregon edhe potencialin e madh që inteligjenca artificiale ende e ka në përdorimin profesional.
Ai ka përmendur gjithashtu vitin 2023, kur sipas tij filloi rritja e madhe e interesimit për ChatGPT, ndërsa theksoi se inteligjenca artificiale ka hapur qasje më të gjerë në ekspertizë dhe burime.
Gjatë prezantimit të tij, Kanbach ka folur për zhvillimet aktuale në transformimin digjital, duke theksuar ndikimin gjithnjë e më të madh të inteligjencës artificiale.
“Më pas do të fokusohemi pak te krahu i veçantë i transformimit digjital, i cili, jo çuditërisht, dhe këtë e pamë edhe dje gjatë diskutimit në panel, aktualisht është shumë i ndikuar nga inteligjenca artificiale”, ka thënë Kanbach.
Ai ka thënë se qëllimi i prezantimit të tij është të reflektojë mbi sipërmarrjen strategjike dhe ta lidhë këtë temë me zhvillimet e fundit që po ndikojnë në transformimin e dyfishtë.
“Dua të flas pak për sipërmarrjen strategjike si shtytës të transformimit të dyfishtë. Kur pashë moton e konferencës sonë dhe fokusin e saj, si dhe larminë e prezantimeve që pamë dje dhe që shohim sot, vendosa të mos fokusohem në një projekt specifik kërkimor, por të reflektoj mbi këtë temë nga këndvështrimi im dhe ta lidh atë me zhvillimet aktuale dhe të fundit që po ndikojnë në atë se çfarë po ndodh në botën e transformimit të dyfishtë”, tha ai.
Kanbach gjatë prezantimit ka trajtuar edhe raportin ndërmjet strategjisë, sipërmarrjes dhe sipërmarrjes strategjike, duke argumentuar se këto koncepte duhet të shihen së bashku në kuadër të ndryshimeve që po ndodhin në botën e biznesit dhe teknologjisë.