Kurti takon Tërnavën, flasin për presidenten e re dhe aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Kurti takon Tërnavën, flasin për presidenten e re dhe aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Aktuale October 10, 2026 - 14:34

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të premten pasdite në takim kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Myftiun Naim Tërnava, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike, bashkëpunimin institucional dhe aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), raporton Ekonomia Online.

Sipas njoftimit, në takim u diskutua edhe për zgjedhjen e presidentes së re, Justina Shiroka Pula, e cila, sipas njoftimit, shmangu mbajtjen e zgjedhjeve të katërta parlamentare në më pak se dy vjet dhe mundësoi kthimin te stabiliteti institucional.

“Teksa kryeministri Kurti tha se është përherë kënaqësi të takohet me të, Myftiu Tërnava e uroi për presidenten e re Justina Shiroka Pula, zgjedhja e së cilës shmangu zgjedhjet e katërta parlamentare në më pak se dy vjet dhe mundësoi kthimin te stabiliteti institucional”, thuhet në njoftim.

Gjatë takimit, palët diskutuan për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve, ecurinë e projekteve të përbashkëta, solidaritetin, humanitetin qytetar, si dhe vlerat shoqërore e kombëtare.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe situata politike dhe zhvillimet në rajon e më gjerë, si dhe aktgjykimi i shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Sipas njoftimit, aktgjykimi u cilësua si i padrejtë dhe i pasaktë, ndërsa u diskutua edhe për punën që duhet bërë në procesin e ardhshëm të apelit.

Në fund të takimit, Kurti shprehu mirënjohje dhe falënderime për Bashkësinë Islame të Kosovës, për rolin e saj konstruktiv dhe kontributin në shërbim të popullit të Kosovës.