Në grevë punëtorët e sigurimit fizik në Fakultetin e Edukimit, shkak pagat e papaguara
Foto: Laura Hasani

Në grevë punëtorët e sigurimit fizik në Fakultetin e Edukimit, shkak pagat e papaguara

Aktuale October 12, 2026 - 08:52

Punëtorët e sigurimit fizik në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës kanë hyrë në grevë, duke kërkuar përmbushjen e obligimeve ligjore nga kompania për të cilën punojnë.

Sipas njoftimit nga Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës, greva ka nisur për shkak të mospagesës së pagave për muajin shtator, si dhe vonesave të konsiderueshme në pagesën e kontributeve pensionale në Trustin e Kursimeve Pensionale.

Punëtorët kanë ndërmarrë këtë veprim në shenjë pakënaqësie ndaj mosrespektimit të obligimeve që burojnë nga marrëdhënia e punës.

Në njoftim theksohet se këto shkelje cenojnë të drejtat e punëtorëve, ndërsa nuk janë dhënë detaje të tjera lidhur me kohëzgjatjen e grevës apo reagimin e kompanisë përgjegjëse.

Deri tani, nuk ka informacione shtesë lidhur me hapat e ardhshëm për zgjidhjen e kësaj çështjeje.