Në autostradën “Ibrahim Rugova” vazhdojnë punimet për parandalimin e rreziqeve

Në autostradën “Ibrahim Rugova” vazhdojnë punimet për parandalimin e rreziqeve

Aktuale October 12, 2026 - 08:54

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit po vazhdon punimet për rehabilitimin dhe sanimin e skarpateve përgjatë autostradës “Ibrahim Rugova”, me synim rritjen e sigurisë dhe parandalimin e rrëshqitjeve të dheut.

Sipas njoftimit të Ministrisë, në disa segmente të autostradës tashmë janë duke u zhvilluar punimet rehabilituese, ndërsa për segmentet e tjera po realizohet riprojektimi. Pas përfundimit të kësaj faze, pritet të vazhdojnë procedurat për kontraktimin e punimeve të sanimit.

Paralelisht me këto aktivitete, po kryhen edhe analiza dhe vlerësime teknike për të identifikuar zonat ku nevojiten ndërhyrje shtesë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë të ditur se siguria e qytetarëve mbetet prioritet, ndërsa përmes këtyre ndërhyrjeve synohet të sigurohet stabiliteti i skarpateve dhe të krijohen kushte më të sigurta për qarkullimin e automjeteve në këtë autostradë.

Rehabilitimi i skarpateve konsiderohet i rëndësishëm për parandalimin e rreziqeve që mund të shkaktohen nga rrëshqitjet e dheut dhe për përmirësimin e sigurisë përgjatë autostradës “Ibrahim Rugova”.