Avokati i Popullit: Zyra në Hagë nuk e përjashton mandatin tonë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut
Foto: Laura Hasani

Avokati i Popullit: Zyra në Hagë nuk e përjashton mandatin tonë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut

Aktuale October 15, 2026 - 17:44

Institucioni i Avokatit të Popullit i Kosovës ka reaguar ndaj deklarimeve të Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke thënë se ekzistenca e Zyrës së Avokatit të Popullit në Hagë nuk e përjashton mandatin kushtetues të institucionit kosovar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut.

Reagimi i Avokatit të Popullit vjen pas deklarimeve të Dhomave të Specializuara të datës 13 tetor 2026, me titull “Deklaratë e Dhomave të Specializuara të Kosovës: Ftesa nga Avokati i Popullit i Kosovës për Tryezë të Rrumbullakët”.

Avokati i Popullit thotë se deklarata e Dhomave të Specializuara është publikuar në të njëjtën ditë kur ato e kanë pranuar përgjigjen zyrtare të Avokatit të Popullit, drejtuar kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, ku janë paraqitur argumentet juridike lidhur me mandatin dhe kompetencat e Institucionit të Avokatit të Popullit.

Institucioni i Avokatit të Popullit sqaron se në letrën zyrtare të datës 13 tetor 2026, drejtuar kryetares së Dhomave të Specializuara, në të cilën janë shtjelluar qëndrimet dhe argumentet juridike të Institucionit lidhur me këtë çështje, ndër të tjera i ka rikujtuar Dhomave të Specializuara se Institucioni i Avokatit të Popullit i Kosovës është themeluar me Kushtetutë dhe ka mandat të përgjithshëm për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore.

“Ushtrimi i këtij mandati duhet të vlerësohet në përputhje me Kushtetutën dhe instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të cilat janë pjesë përbërëse e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Në këtë kontekst, vlerëson se përgjegjësia ekskluzive që i është caktuar Zyrës së Avokatit të Popullit në Hagë bazuar në kornizën përkatëse kushtetuese dhe ligjore nuk nënkupton, në vetvete, përjashtim të kompetencës së Institucionit të Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës për t’u angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në çështjet që lidhen me Dhomat e Specializuara.”

Avokati i Popullit thotë se përgjegjësia ekskluzive duhet kuptuar si detyrim i posaçëm institucional i Zyrës së caktuar të Avokatit të Popullit për të përmbushur funksionin që i është caktuar dhe për të vepruar si mekanizëm institucional parësor dhe i domosdoshëm sa herë që rrethanat e një rasti të caktuar kërkojnë ndërhyrje.

Për rrjedhojë, Institucioni i Avokatit të Popullit i Kosovës e ruan mandatin e tij të përgjithshëm kushtetues për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e njeriut lidhur me ushtrimin e autoritetit publik, brenda rendit kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës.

Kujtojmë, që nga viti 2021, Institucioni i Avokatit të Kosovës ka ngritur vazhdimisht shqetësime pranë Dhomave të Specializuara, përfshirë edhe përmes korrespondencës zyrtare të mëvonshme, ndaj së cilës nuk është dhënë asnjë përgjigje.

“Mungesa e vazhdueshme e përgjigjes ngre shqetësime serioze lidhur me transparencën dhe krijon perceptimin se informacioni mund të mbahet qëllimisht i fshehtë”, përfundon reagimi.