Mes kritikave ndaj Gjykatës, Trendafilova thotë se Specialja përballet me lajme të rreme
Foto: Laura Hasani

Mes kritikave ndaj Gjykatës, Trendafilova thotë se Specialja përballet me lajme të rreme

Aktuale October 20, 2026 - 10:33

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, ka deklaruar se që nga themelimi, ky institucion gjyqësor është përballur me informacione të rreme lidhur me pavarësinë dhe funksionimin e tij.

Në deklaratën e saj, Trendafilova ka theksuar se krahas përhapjes së informacioneve të pasakta, janë ndërmarrë edhe përpjekje për pengimin e drejtësisë, të cilat, sipas saj, kanë rezultuar me dënime dhe pranime fajësie në Gjykatë për frikësim të dëshmitarëve.

Sipas saj, Dhomat e Specializuara janë institucion gjyqësor me mandat të përcaktuar në Shkëmbimin e Letrave, Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Sipas Trendafilovës, institucioni është i përqendruar në zhvillimin e proceseve penale të sigurta, të pavarura, të paanshme, të drejta dhe efikase, duke siguruar njëkohësisht mbrojtje për dëshmitarët dhe viktimat.

Ajo ka kundërshtuar pretendimet që paraqesin në mënyrë të pasaktë funksionimin e Gjykatës, duke theksuar se të akuzuarve u garantohen të drejtat për gjykim të drejtë në përputhje me standardet e njohura ndërkombëtare.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara ka theksuar se gjykatësit e këtij institucioni emërohen nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe shtetet kontribuese, ndërsa përzgjedhja e tyre bëhet mbi bazën e kritereve të larta profesionale dhe etike.

Sipas saj, gjykatësit duhet të jenë persona me karakter të lartë moral, të paanshëm dhe me integritet, të cilët plotësojnë kriteret për emërim në pozitat më të larta gjyqësore në shtetet e tyre përkatëse.

Trendafilova ka thënë se, në përputhje me betimin gjyqësor, gjykatësit i kryejnë detyrat e tyre në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe të ndërgjegjshme, në shërbim të drejtësisë dhe sundimit të ligjit.

Ajo ka shtuar se në proceset gjyqësore zbatohen konventat ndërkombëtare të përmendura në Kushtetutën e Kosovës, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudencën përkatëse.

Sipas saj, mbrojtja e të drejtave të të akuzuarve duhet të sigurohet në çdo fazë të procedurës gjyqësore.

Trendafilova ka rikujtuar se sistemi gjyqësor i Dhomave të Specializuara parasheh mekanizma për rishikimin e vendimeve, përfshirë procedurat para paneleve të apelit dhe Panelit të Gjykatës Supreme të Dhomave të Specializuara.

Ajo ka theksuar se të akuzuarit mund t'i drejtohen edhe Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, në rastet kur pretendojnë se u janë shkelur të drejtat e tyre.

Sipas saj, këto mekanizma juridikë janë shfrytëzuar nga të akuzuarit në një numër rastesh dhe aktvendimesh.

Duke iu referuar kritikave ndaj institucionit, Trendafilova ka thënë se në një shoqëri demokratike është legjitime që vendimet gjyqësore të kritikohen. Megjithatë, ajo ka theksuar se kjo nuk nënkupton se dikush mund t'u diktojë gjykatësve mënyrën e interpretimit dhe zbatimit të ligjit.

“Megjithëse në një shoqëri demokratike kritikat ndaj vendimeve gjyqësore janë legjitime, parimi i sundimit të ligjit do të thotë se askush nuk mund t'u diktojë gjykatësve se si ta interpretojnë dhe zbatojnë ligjin”, ka deklaruar ajo.

Në përfundim, kryetarja e Dhomave të Specializuara ka ritheksuar se institucioni e ushtron mandatin e tij pa konsiderata, preferenca, ndikim ose ndërhyrje politike.

Ajo ka shprehur pritjen që të gjitha palët e përfshira t'i përmbushin detyrimet e tyre përkatëse, me qëllim garantimin e sundimit të ligjit dhe ruajtjen e standardeve ndërkombëtare në proceset gjyqësore. /Zëri

Fjalimi i plotë:

Dhomat e Specializuara janë përballur me dezinformata lidhur me pavarësinë dhe funksionimin e tyre. Gjithashtu, ka pasur përpjekje për të penguar rrjedhën e drejtësisë, të cilat kanë çuar në dënime dhe pranime të fajësisë për frikësimin e dëshmitarëve para gjykatës.

Dhomat e Specializuara janë një institucion gjyqësor me mandat të përcaktuar përmes një shkëmbimi letrash, Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Gjykata është e përqendruar në sigurimin e procedurave penale të sigurta, të pavarura, të paanshme, të drejta dhe efikase, duke siguruar njëkohësisht mbrojtje të fuqishme për dëshmitarët dhe viktimat.

Në kundërshtim me dezinformatat për gjykatën, të cilat vazhdojnë të përhapen, Dhomat e Specializuara garantojnë të drejtat për gjykim të drejtë të të akuzuarve, në përputhje me standardet e njohura ndërkombëtarisht. Gjykatësit e emëruar në Dhomat e Specializuara janë nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe shtetet kontribuuese. Për t’u kualifikuar si gjykatës në Dhomat e Specializuara të Kosovës, ata duhet të jenë persona me karakter të lartë moral, paanshmëri dhe integritet, të cilët zotërojnë kualifikimet e kërkuara në shtetet e tyre për emërim në postet më të larta gjyqësore.

Siç përcaktohet në betimin e tyre gjyqësor, gjykatësit i ushtrojnë detyrat e tyre gjyqësore në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe të ndërgjegjshme, duke i shërbyer çështjes së drejtësisë dhe sundimit të ligjit. Gjykatësit zbatojnë në mënyrë të vazhdueshme konventat ndërkombëtare të përmendura në Kushtetutën e Kosovës, duke përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikën e saj gjyqësore. Gjykatësit i zhvillojnë procedurat në një mënyrë që i mbron këto të drejta në çdo hap të procesit gjyqësor.

Mbikëqyrja e vendimeve gjyqësore kryhet përmes procesit të ankesave, duke përfshirë panelet e Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Panelin e Gjykatës Supreme. Të pandehurit gjithashtu mund t’i drejtohen Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese nëse besojnë se të drejtat e tyre janë shkelur. Vlen të theksohet se të pandehurit i kanë shfrytëzuar këto mjete juridike dhe, në një numër aktgjykimesh, kanë pasur sukses.

Ndërsa kritikat ndaj vendimeve gjyqësore janë legjitime në një shoqëri demokratike, sundimi i ligjit kërkon që askush të mos mund t’u diktojë gjykatësve se si ta interpretojnë dhe zbatojnë ligjin. Si institucion gjyqësor i pavarur, Dhomat e Specializuara e ushtrojnë mandatin e tyre pa konsiderata, preferenca, ndikime ose ndërhyrje politike.

Dhomat e Specializuara mbeten të palëkundura në përkushtimin e tyre për të respektuar standardet më të larta ndërkombëtare, ndërsa vazhdojnë punën e besuar atyre në mënyrë të pavarur nga çdo presion i jashtëm, me pritshmërinë që të gjithë aktorët e përfshirë t’i përmbushin detyrimet e tyre përkatëse për të siguruar respektimin e sundimit të ligjit.