Mjeku Gëzim Berisha pezullohet përkohësisht nga marrëdhënia e punës
Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, Gëzim Berisha, është pezulluar përkohësisht nga marrëdhënia e punës, pas arrestimit të tij.
Vendimi për pezullimin e tij hyn në fuqi nga data 2 nëntor 2026 dhe do të mbetet në fuqi deri në marrjen e një vendimi tjetër.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), Mirlinda Qyqalla, e cila ka bërë të ditur se masa është ndërmarrë si pasojë e mbajtjes së Berishës në arrest, duke u bazuar në aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Ky vendim është marrë si pasojë e mbajtjes së tij në arrest, në bazë të Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë. SHSKUK-ja do të veprojë në përputhje me vendimet dhe procedurat ligjore në fuqi”, ka deklaruar Qyqalla për Telegrafin.
Ndërkaq, pezullimi do të jetë i përkohshëm dhe do të vazhdojë deri në një vendim të ri lidhur me statusin e tij të punës.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji Gëzim Berishës, drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, i cili dyshohet për veprën penale “Dhuna në familje”.
Gjykata ka bërë të ditur se ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Berishës.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit G.B. si të pabazuar dhe përmes Aktvendimit ka caktuar masën e arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Sipas vendimit, Stacioni Policor në Vushtrri është obliguar të zbatojë dhe të verifikojë respektimin e kësaj mase nga i pandehuri.
Në rast të mosrespektimit të saj, Policia duhet ta njoftojë menjëherë gjyqtaren e procedurës paraprake.
Gjykata ka vlerësuar se masa e arrestit shtëpiak është e mjaftueshme për të parandaluar rrezikun e përsëritjes së veprës penale, për të mbrojtur të dëmtuarën dhe për të siguruar zhvillimin e rregullt të procedurës.
Vendimi është marrë duke pasur parasysh edhe faktin se, sipas Gjykatës, i pandehuri dhe e dëmtuara nuk jetojnë më në bashkësi familjare, ndërsa arresti shtëpiak është caktuar në pronën ku viktima nuk banon, me qëllim të shmangies së kontaktit të drejtpërdrejtë mes tyre.