Kryeziu-Hyseni pas takimit me ambasadorin gjerman: Kërkuam mbështetjen e Gjermanisë për integrimin evropian
Foto: Laura Hasani

Kryeziu-Hyseni pas takimit me ambasadorin gjerman: Kërkuam mbështetjen e Gjermanisë për integrimin evropian

Aktuale November 02, 2026 - 16:13

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbreshë Kryeziu-Hyseni, pas takimit të komisionit me ambasadorin e ri të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka thënë se në këtë takim është diskutuar për marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve dhe për kërkesat e Kosovës në proceset e rëndësishme ndërkombëtare.

Ajo ka bërë të ditur se takimi kishte karakter njoftues, pasi ambasadori Rudolph ka marrë së fundmi detyrën e tij në Kosovë dhe ky ishte takimi i parë me anëtarët e komisionit. Me këtë rast, deputetët kanë prezantuar qëndrimet e tyre lidhur me proceset nëpër të cilat po kalon Kosova dhe kanë kërkuar që Gjermania të vazhdojë ta mbështesë vendin në rrugën drejt integrimit evropian dhe anëtarësimit në organizata të tjera ndërkombëtare.

“Ky ishte një takim i cili i paraprin takimeve të radhës në Komisionin për Politikë të Jashtme dhe Diasporë me ambasadorë të shteteve mike, aleatë të Kosovës. Ku ne zakonisht flasim edhe për marrëdhëniet bilaterale në mes të shteteve, por edhe për kërkesat specifike që deputetët i kanë në raport me shtetet në kuadër të proceseve në të cilat Kosova po kalon. E njëjta ndodhi edhe sot me ambasadorin e Gjermanisë. Ishte më shumë takim i tipit njoftues, sepse kemi një ambasador të ri të arritur së fundmi, me të cilin komisioni është takuar për herë të parë dhe me të cilin kemi ndarë qëndrimet tona në raport me proceset nëpër të cilat ne po kalojmë dhe kërkesat tona në raport me këto procese, të cilat janë të natyrshme dhe janë të njëjta zakonisht”, ka deklaruar Kryeziu-Hyseni.

Ajo ka bërë të ditur se një nga kërkesat kryesore të deputetëve ishte që Kosova të vazhdojë të jetë në agjendën e Gjermanisë dhe të ketë mbështetjen e këtij shteti në procesin e integrimit evropian, por edhe në përpjekjet për anëtarësim në Këshillin e Evropës, NATO dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtarë.

“Kemi kërkuar mbështetjen që Kosova edhe më tej të vazhdojë të mbetet në agjendat e Gjermanisë në kuptimin e mbështetjes, qoftë në rrugën drejt integrimit evropian, por qoftë edhe në rrugën tonë drejt anëtarësimit në mekanizma të tjerë ndërkombëtarë, siç është Këshilli i Evropës, NATO e të tjerë mekanizma, të cilët janë të rëndësishëm shumë pikërisht sot, në kohën kur po përballemi me një situatë shumë fragjile në Evropë”, është shprehur ajo.

Kryetarja e komisionit ka bërë të ditur se nga ambasadori gjerman kanë marrë mbështetjen për shtyrjen përpara të kërkesave të Kosovës. Po ashtu, ajo ka njoftuar se kanë diskutuar edhe mundësinë e organizimit të takimeve me homologët e tyre nga Bundestagu gjerman, të cilët synojnë t’i ftojnë për vizitë në Kosovë.

“Kemi marrë mbështetjen prej ambasadorit që do të jetë i gatshëm t’i shtyjë përpara kërkesat tona dhe po ashtu kemi menduar të iniciojmë edhe takimet me homologët tanë nga Bundestagu, të cilët mendojmë t’i ftojmë të vijnë në Kosovë në takimet tona me Komisionin për Politikë të Jashtme, por në të njëjtën kohë të arrijmë ta shohim nga afër shtetin e Kosovës edhe të kemi edhe eksperienca të tjera”, ka thënë Kryeziu-Hyseni.

Ndërkaq, ajo ka bërë të ditur se gjatë takimit janë diskutuar edhe tema të ndjeshme, të cilat nuk mund të bëhen të gjitha publike. Megjithatë, ka theksuar se njëra nga kërkesat e përbashkëta të deputetëve ishte që Serbia të kërkohet të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin terrorist në Banjskë.

Sipas saj, kjo kërkesë duhet të jetë edhe pjesë e qëndrimit të ndërkombëtarëve, pasi raportet për këtë sulm tashmë janë në dispozicion dhe, siç ka thënë ajo, duhet të ketë përgjegjësi për personat e përfshirë.

“Jo gjithçka që flitet aty brenda mund të ndahet me publikun për shkak të temave të ndjeshmërisë, por njëra prej kërkesave të përbashkëta, mund ta them, e të gjithë deputetëve ishte që të kërkohet nga Serbia, e cila tashmë sapo ka dalë prej një procesi të ri zgjedhor dhe do të ketë një përbërje të re politike atje, që kryesuesit e sulmit terrorist në Banjskë të sillen para drejtësisë. Kemi kërkuar që kjo të jetë kërkesë madje edhe e vetë ndërkombëtarëve, të cilët tashmë i kanë gjithë raportet e nevojshme për të parë se kush është kryerësi dhe kush është fajtori mbrapa këtij sulmi terrorist, sepse konsiderojmë që përderisa këta persona që kryejnë sulmet terroriste vazhdojnë të sillen lirshëm në Serbi, kjo mund të lejojë lehtësisht edhe një rrethanë të re të përsëritur në të ardhmen, nëse nuk trajtohet prej organeve të drejtësisë”, tha ajo. /eo