Zulfaj në Berlin, kërkon mbështetjen e Gjermanisë për statusin e vendit kandidat për Kosovën
Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka zhvilluar një takim në Berlin me ministrin e Shtetit për Evropën në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Gunther Krichbaum.
Në fokus të takimit ishte procesi i integrimit evropian të Kosovës, me theks të veçantë në marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Gjatë takimit, Zulfaj theksoi se Kosova ka shënuar progres të konsiderueshëm demokratik dhe ekonomik gjatë dekadës së fundit, duke vlerësuar se ky progres duhet të reflektohet me hapa konkretë në procesin e zgjerimit të BE-së, mbi bazën e meritave.
Ai rikujtoi se, gati katër vjet pas dorëzimit të aplikimit për anëtarësim, Kosova vazhdon të jetë i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka marrë statusin e vendit kandidat.
Sipas Zulfajt, kjo situatë nuk përputhet me premtimet e Samitit të Selanikut dhe deklaratat e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për perspektivën evropiane të Kosovës.
Në këtë drejtim, kryenegociatori kërkoi që Gjermania, si një nga vendet kyçe të BE-së, të luajë rol aktiv në mbështetjen e vendimmarrjes për dhënien e statusit kandidat për Kosovën.
Në fund, Zulfaj falënderoi ministrin Krichbaum për bashkëbisedimin e hapur dhe diskutimin lidhur me perspektivën evropiane të Kosovës.