Nata e shtatë e protestave pas vrasjes së Arlinda Zekajt
Foto: Laura Hasani

Nata e shtatë e protestave pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Aktuale November 03, 2026 - 17:23

Për të shtatën ditë po vazhdon protesta për vrasjen e Arlinda Zekajt.

Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës nga ish-kunati i saj. Ajo u vra pak ditë pasi paralajmëroi me letër institucionet se jeta e saj është në rrezik. Vrasja ndodhi pasi u kthye nga Policia ku e paraqiti ish-bashkëshortin për kanosje.

Vrasja e saj ka nxitur reagime të shumta, protesta dhe masa në institucione. Në mesin e zhvillimeve pas rastit është edhe dorëheqja e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, si dhe suspendime të prokurorëve e policëve.

Protestuesit po kërkojnë që vrasja e grave të trajtohet si çështje urgjente kombëtare. Ata kanë kërkuar ndjekje penale të prokurorëve e gjyqtarëve që janë marrë me rastin e saj.

Kanë kërkuar edhe shkarkimin e ministrave të Drejtësisë, Donika Gërvalla, e atij të Brendshëm, Xhelal Sveçla, pasi refuzuan dorëheqjen. E dorëheqje i është kërkuar edhe kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.