Kryeprokurori Gashi cakton mbikëqyrës për punën e prokurorive në Kosovë
Foto: Laura Hasani

Kryeprokurori Gashi cakton mbikëqyrës për punën e prokurorive në Kosovë

Aktuale November 04, 2026 - 09:27

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka marrë vendim për caktimin e prokurorëve nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit si mbikëqyrës të punës së Prokurorisë së Apelit, Prokurorisë Speciale dhe prokurorive themelore në vend.

Sipas njoftimit të Prokurorit të Shtetit, ky vendim është marrë me qëllim të rritjes së efikasitetit, zbatimit unik të praktikave dhe respektimit të ligjshmërisë në sistemin prokurorial.

Prokurorët e caktuar do të mbikëqyrin menaxhimin dhe efikasitetin e prokurorive përkatëse, si dhe do të ofrojnë mbështetje dhe këshillim për zbatimin e udhëzimeve dhe vendimeve të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Në kuadër të përgjegjësive të tyre përfshihet edhe monitorimi i trajtimit të lëndëve të vjetra dhe atyre me prioritet, identifikimi i sfidave institucionale, mbikëqyrja e zbatimit të shqyrtimit të detyrueshëm të lëndëve dhe pjesëmarrja në kolegjiumet e prokurorive përkatëse.

Prokurori i Shtetit ka theksuar se mbikëqyrja do të bëhet duke respektuar pavarësinë funksionale të prokurorëve.

Sipas njoftimit, vendimi synon forcimin e llogaridhënies dhe transparencës institucionale, si dhe përmirësimin e koordinimit dhe komunikimit të brendshëm në sistemin prokurorial. /Zëri