Rama Prokurorisë: Mos ushtroni presion mbi njerëzit që po punojnë për Prishtinën
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me intervistimin nga Prokuroria të disa zyrtarëve dhe përfaqësuesve të përfshirë në projektin “Ishulli Urban”.
Rama ka bërë të ditur se të martën Prokuroria ka intervistuar për disa orë punëkryesin dhe menaxherin e projektit, i cili, sipas tij, u mundëson rreth 30 mijë banorëve të lagjes Arbëria qasje me qendrën e Prishtinës, transmeton Zeri.info.
Ai gjithashtu ka pretenduar se drejtoresha e Investimeve Kapitale po thirret në hetuesi vazhdimisht.
“Seriozisht e keni, a? Mos ushtroni presion mbi njerëzit që po mundohen me e bo punën e vet për Kryeqytetin. Nëse po përballeni me presion politik, mos ua bartni atyre”, shkroi Rama.
Ai ka kërkuar që, siç është shprehur, personat e përfshirë në realizimin e projekteve të kryeqytetit të mos përfshihen në përplasjet politike.
“Lërini jashtë luftës politike. Lërini me punu”, përfundoi Rama. /Zëri