Rasti i Arlindës, Gjini: Institucionet ta marrin përgjegjësinë, është dashur të ketë dorëheqje
Foto: Laura Hasani

Rasti i Arlindës, Gjini: Institucionet ta marrin përgjegjësinë, është dashur të ketë dorëheqje

Aktuale November 05, 2026 - 20:38

Kreu i Aleancës, Ardian Gjini, ka kritikuar institucionet e shtetit lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt nga kunati i saj në Vitomiricë të Pejës.

Gjini ka thënë se institucionet kanë qenë vazhdimisht të njoftuara për problematikat që kanë ekzistuar dhe se, për këtë arsye, duhet ta marrin përgjegjësinë për rastin.

Ai ka theksuar se, ndonëse është i bindur se askush nuk ka dëshiruar të ndodhte një tragjedi e tillë, përgjegjësia institucionale nuk mund të shmanget.

“Jam i bindur që s’kanë pasur dëshirë të ndodhë diçka e tillë, ama duhet ta marrin përgjegjësinë, për shkak se institucionet e shtetit kanë qenë të njoftuara në vazhdimësi me problematikën që ka ekzistuar”, ka deklaruar Gjini.

Ai ka shtuar se është dashur të ketë dorëheqje të tjera lidhur me këtë rast. /klankosova