Andin Hoti pret në takim ambasadorin britanik, diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit

Andin Hoti pret në takim ambasadorin britanik, diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit

Aktuale November 05, 2026 - 20:41

Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka pritur të mërkurën në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar për prioritetet e Ministrisë dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Përmes një postimi, Hoti ka bërë të ditur se gjatë takimit ambasadori britanik e ka uruar për konfirmimin e mandatit të ri qeverisës dhe është njoftuar për nismat dhe angazhimet institucionale të Ministrisë.

“Diskutuam për prioritetet dhe planet e Ministrisë për sektorët që mbulojmë, si dhe për përkrahjen që Mbretëria e Bashkuar ofron në fusha të caktuara të veprimtarisë së Ministrisë dhe mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit”, ka shkruar Hoti.

Ai ka bërë të ditur se e ka falënderuar ambasadorin Hargreaves, Mbretërinë e Bashkuar dhe popullin britanik për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.

“E falënderova Ambasadorin Hargreaves, Mbretërinë e Bashkuar dhe popullin britanik për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës dhe popullit tonë, si dhe theksova përkushtimin për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona”, ka deklaruar ai.