Përplasje në Komisionin Hetimor për rastin e Arlinda Zekajt
Gjatë diskutimit për rendin e ditës në Komisionin Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje, ka pasur përplasje mes anëtarit të Komisionit nga PDK-ja, Eman Rrahmani, dhe anëtarit nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi.
Rrahmani ka ngritur shqetësime lidhur me vonesën e Zyrës së Kryeministrit në dorëzimin e dokumenteve të kërkuara nga komisioni, duke pretenduar se raportet e dërguara së fundmi nuk janë të nënshkruara nga ministritë përkatëse dhe se i gjithë procesi po shoqërohet me përpjekje për të penguar zbardhjen e përgjegjësive institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Ai ka thënë se Zyra e Kryeministrit i ka dërguar raportet vetëm një orë para mbledhjes, por ka vënë në pikëpyetje autenticitetin dhe vlefshmërinë e tyre.
“Fillimisht më vjen mirë që Zyra e Kryeministrit paska dërguar tash para një ore dy raportet. Edhe pse unë besoj që është mashtrim dhe arsyeja pse nuk e ka dërguar deri sot është se s’ka ekzistuar ky raport, për shkak që, nëse e shfletojmë edhe e shohim, janë 22-faqe raportet e dy ministrive, pa asnjë nënshkrim të asnjë ministri. E nuk e ke pasur, nuk e ke realizuar, kështu që është shqetësuese situata”, ka deklaruar Rrahmani.
Ai ka kritikuar qasjen e Zyrës së Kryeministrit, duke thënë se në vend që të bashkëpunojë me komisionin për zbardhjen e dështimeve institucionale, po bëhet pengesë në këtë proces.
“Është shqetësuese që angazhimi edhe i Zyrës së Kryeministrit, në vend që do të duhej ta ndihmonte këtë komision, që të zbardhnim gjithë dështimin e zinxhirit shtetëror, bëhet pengesë dhe manipulues i krejt kësaj”, ka thënë ai.
Rrahmani ka kritikuar edhe mënyrën sesi është zhvilluar mbledhja e kaluar e Komisionit, duke pretenduar se anëtarët e shumicës parlamentare kanë bllokuar iniciativat e opozitës për përfshirjen në planin e punës të kërkesave për dokumentacion nga Zyra e Kryeministrit.
Sipas tij, pas ndërprerjes së mbledhjes nga opozita, nënkryetari i komisionit, Adnan Rrustemi, ka thirrur një mbledhje tjetër, për të cilën deputetët opozitarë janë njoftuar përmes e-mailit zyrtar vetëm 15 minuta përpara.
“Për fat të keq, në mbledhjen e fundit këtë angazhim e kanë vazhduar edhe anëtarët e komisionit të shumicës, duke bllokuar çdo iniciativë tonën për ta futur në planin e punës që të marrim dokumente nga Zyra e Kryeministrit. Dhe pasi që ne e kemi lëshuar mbledhjen, e kemi ndërprerë në fakt mbledhjen, atëherë Rustemi si nënkryetar i komisionit ka thirrur një mbledhje ku ka njoftuar me e-mail zyrtar që mbas 15 minutave mbahet një mbledhje tjetër e këtij komisioni, ku e kanë miratuar një plan pune, pa qenë prezent asnjë deputet i opozitës”, ka deklaruar Rrahmani.
Ai ka shtuar se në atë plan pune është përjashtuar Zyra e Kryeministrit, ndërsa është përfshirë një agjenci brenda saj për të siguruar qasjen në dokumentacion.
“Aty e kanë përjashtuar Zyrën e Kryeministrit, e kanë futur një agjenci brenda Zyrës së Kryeministrit për të pasur qasje në ato dokumente. Dhe si i tillë, unë e shoh që qasja e këtij grupi parlamentar në përgjithësi është qasje duke u munduar me i mbuluar të metat dhe mos me zbardh dështimin në komplet zinxhirin shtetëror, ku ka dështuar shteti për me mbrojt jetën e një gruaje”, është shprehur ai.
Rrahmani ka insistuar se komisioni duhet të kërkojë dokumentacion nga të gjitha institucionet përgjegjëse dhe se këto kërkesa duhet të respektohen brenda afateve të përcaktuara ligjore.
Ai ka bërë të ditur se Zyrës së Kryeministrit i është dhënë një afat prej tri ditësh për dorëzimin e dokumenteve, por sipas tij, ky afat nuk është respektuar.
“Unë vazhdoj me besu që na duhemi me insistuar dhe mos me u dorëzuar që çfarëdo lloj kërkesë që kemi ndaj secilit institucion është obligative me na i sjellë këtu ato dokumente dhe në kohën çfarë i kanë përcaktuar me ligj. Ne Zyrës së Kryeministrit i kemi dhënë një afat treditor që ka qenë një parapamje në bazë të komisionit, nuk e ka respektuar dhe unë mendoj si kryetar i këtij komisioni duhesh me i adresuar, me e pasur në qoftë se ka bërë vepër penale Zyra e Kryeministrit në raport me mosdhënien e informacioneve në kohën e duhur”, ka theksuar Rrahmani.
Ai ka përfunduar duke kërkuar që Komisioni të nisë punën me adresimin e përgjegjësive të institucioneve dhe të mos lejojë, siç pretendon ai, që shumica parlamentare të mbulojë dështimet e shtetit.
“Besoj që në atë duhemi me filluar edhe me u angazhuar, me punuar, që me e pa dështimin e krejt kësaj, apo për mua është shumë shqetësuese, ku një grup parlamentar, një shumicë parlamentare, provon në çdo mënyrë me mbuluar dështimin e shtetit”, ka thënë ai.
Pas deklarimeve të Rrahmanit, ka reaguar anëtari i Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, i cili ka kërkuar që komisioni të fokusohet në zbardhjen e së vërtetës për vrasjen e Arlinda Zekajt dhe në shqyrtimin profesional të përgjegjësive të secilës hallkë institucionale.
Rrustemi ka thënë se Komisioni duhet të trajtohet si një mekanizëm i rëndësishëm hetimor, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e rastit dhe rëndësinë që ka për parandalimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen.
“Do ta kujtojmë vazhdimisht vetes që jemi pjesë e një komisioni tepër të rëndësishëm, ku bëhet fjalë për një çështje tepër të ndjeshme, po aq sa edhe me efekte në perspektivë dhe për raste të tjera. Vetëm nëse e përjetojmë si të tillë, mund t’i japim kontributin në këtë komision”, ka deklaruar Rrustemi.
Ai ka pranuar se në komision mund të ketë diskutime politike, por ka theksuar se ato nuk duhet të pengojnë punën hetimore dhe profesionale për zbardhjen e rastit.
“Unë e kuptoj që në këtë komision, edhe për shkak të sfondit tonë, do të ketë politikë dhe mund ta mirëkuptoj deri diku. Por e kuptoj dhe mirëkuptoj bërjen e politikës në këtë komision vetëm për sa kohë nuk e pengon punën e komisionit për të zbardhur të vërtetën e Arlinda Zekajt”, është shprehur ai.
Rrustemi ka thënë se është i gatshëm të shqyrtohen të gjitha veprimet, mosveprimet dhe përgjegjësitë ligjore të institucioneve, duke përmendur në mënyrë të veçantë prokurorinë, policinë, gjykatën dhe ministrinë përkatëse.
“Unë jam këtu për të trajtuar profesionalisht çdo mekanizëm, çdo veprim, çdo mosveprim e çdo mospërmbushje të detyrimeve ligjore të secilës hallkë institucionale. Personalisht jam për këtë, duke filluar nga përgjegjësitë te prokuroria, te policia, te gjykata, te ministria përkatëse, siç edhe janë pjesë e planit të punës”, ka thënë Rrustemi.
Ai ka kundërshtuar atë që e ka cilësuar si përpjekje për ta politizuar rastin dhe për të përfituar kapital politik individual nga një tragjedi e tillë.
“Më vjen keq që një rast si ky tenton të politizohet, të nxirret kapital politik individual. Unë nuk kam nevojë për kapital politik, dhe e dyta, kurrë nuk do ta bëja një rast si ky; nuk do ta bëja asnjëherë një rast si ky. Por megjithatë, e mirëkuptoj tendencën për me bë politikë pa e penguar punën e komisionit”, ka deklaruar ai.
Rrustemi ka theksuar se nuk do të lejojë që debatet politike të pengojnë punën e komisionit, duke insistuar se hetimi duhet të zhvillohet në mënyrë profesionale dhe të pavarur nga përplasjet politike.
“Po një qasje që e kam vërejtur, që ky komision me filluar dhe me përfunduar te politizimi, kjo është e papranueshme. Dhe po e them që këtu, në këtë mbledhje, askush nuk do të arrijë ta pengojë punën hetimore, profesionale të këtij komisioni. Në rregull, le të bëjnë politikë, por punën s’mund ta pengojë askush”, ka theksuar Rrustemi.
Rrustemi ka propozuar që rendi i ditës të hidhet në votim, me propozimin që pika e dytë të largohet, ndërsa anëtarët e komisionit të kenë mundësi të propozojnë aktivitete apo dëshmitarë të rinj në kuadër të pikës së të ndryshmeve.
“Shkurt, proceduralisht: propozoj që të hidhet në votim rendi i ditës me propozimin tim që pika e dytë të largohet si e tillë dhe secili prej anëtarëve që ka propozime te të ndryshmet mund të shtojë aktivitete ose dëshmitarë të rinj, sa i përket rezolutës”, shtoi Rrustemi. /eo