AUV tërheq nga tregu të mishit të bluar të AJH FOODS, dyshohet për përmbajtje të padeklaruar të pulës

AUV tërheq nga tregu të mishit të bluar të AJH FOODS, dyshohet për përmbajtje të padeklaruar të pulës

Aktuale November 13, 2026 - 16:38

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të produktit “Mish i bluar gjedhi” të kompanisë AJH FOODS SH.P.K. nga Novobërda, pasi analizat laboratorike kanë zbuluar praninë e ADN-së së pulës në produktin që në etiketë deklarohet si mish gjedhi dhe yndyrë.

Sipas njoftimit të AUV-së, rezultati është konfirmuar nga analizat e realizuara në laboratorin ALIMENTI-OMNILAB në Bullgari.

Agjencia ka bërë të ditur se gjatë kontrolleve zyrtare ka evidentuar edhe dokumentacion për furnizimin me rreth 2.2 tonë mish pule të ndarë mekanikisht, krahas furnizimeve me mish pule dhe mish gjedhi, transmeton Zeri.info. 

Prania e ADN-së së pulës në produktin e deklaruar si mish i bluar gjedhi ka ngritur dyshime për përdorimin e përbërësve me origjinë nga pula, të cilët nuk janë deklaruar në etiketën e produktit.

Për këtë arsye, përveç tërheqjes së produktit nga tregu, AUV ka urdhëruar edhe ndalimin e përkohshëm të prodhimit deri në përfundimin e verifikimeve.

Sipas raportit të inspektimit, deri më tani janë kthyer dhe izoluar në depon frigoriferike 77 kilogramë mish i bluar, ndërsa për lotin e analizuar fillimisht nuk është evidentuar kthim i produktit në depon e operatorit.

AUV ka bërë të ditur se kompania ka kërkuar realizimin e një analize paralele për verifikimin e rezultateve laboratorike, kërkesë të cilën agjencia do ta trajtojë në përputhje me procedurat ligjore.

Megjithatë, AUV ka theksuar se masat e ndërmarra janë parandaluese dhe nuk paragjykojnë rezultatet e analizës paralele apo përfundimet e procedurës së kontrollit zyrtar.

Në vijim, inspektorët do të verifikojnë përbërjen e produktit, origjinën e ADN-së së pulës, përdorimin eventual të mishit të ndarë mekanikisht dhe përputhshmërinë e përbërjes faktike me deklarimin në etiketë.

Agjencia ka rikujtuar se operatorët ekonomikë janë të obliguar të sigurojnë që produktet e vendosura në treg të jenë në përputhje me kërkesat e sigurisë ushqimore dhe që informacioni për përbërjen të jetë i saktë dhe të mos i çorientojë konsumatorët.

“Konsumatorët kanë të drejtë të dinë saktësisht çfarë mishi përmban produkti që blejnë”, thuhet në njoftimin e AUV-së./Zëri