Alija: Ligji për Gjykatën Speciale duhet të kthehet në pikën zero dhe të diskutohet me ndërkombëtarët
Artan Alija, nga organizata “The Strategy Group” në Washington, ka thënë se paqartësitë rreth Ligjit për Gjykatën Speciale po vazhdojnë që nga nisja e kësaj çështjeje, duke vlerësuar se tërheqja e ligjit mund të jetë rezultat i presionit ndërkombëtar.
Alija ka deklaruar se procesi duhet të kthehet në pikën zero dhe të diskutohet në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë që të shmangen paqartësitë e mëtejshme dhe veprimet procedurale që mund ta komplikojnë situatën.
“Mendoj që konfuzioni po vazhdon, jemi përballë me këtë konfuzion prej ditës së parë që ka nisur dhe e njëjta po vazhdon edhe tash. Mendoj që ajo që vlen është se prej ditës së parë ka pasur presion të madh ndërkombëtar dhe i njëjti po vazhdon ende. Kjo besoj është rezultat i asaj se pse është tërhequr ligji apo është kthyer mbrapa”, u shpreh Alija.
Ai ka thënë se tashmë duhet të shmangen veprimet e paqarta lidhur me këtë ligj, ndërsa ka vlerësuar se vazhdimi i procedurave me të njëjtin tekst mund të jetë i pamundur.
“Ajo që mendoj se duhet të bëhet tash është të mos ketë lojëra më me këtë ligj. Mendoj që proceduralisht do të jetë e pamundur të vazhdohet me këtë ligj. I njëjti mendoj që duhet të kthehet në pikën zero dhe njëkohësisht të diskutohet me ndërkombëtarët”, ka deklaruar ai.
Alija ka bërë thirrje për kujdes në deklarimet që lidhen me gjykatat ndërkombëtare dhe drejtësinë, duke përmendur edhe reagimet e mëhershme të përfaqësuesve ndërkombëtarë lidhur me këtë ligj.
Ai ka theksuar se publiku duhet të marrë më shumë informacione për zhvillimet rreth kësaj çështjeje, ndërsa ka kërkuar edhe më shumë transparencë nga grupi punues i Qeverisë.
“Megjithatë, duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur flasim për gjykata ndërkombëtare e drejtësi, pasi kemi parë edhe shumë deklarime të ndërkombëtarëve lidhur me ligjin. Por ka paqartësi të mëdha dhe publiku meriton të jetë më i qartë lidhur me këtë çështje, njësoj siç edhe grupi punues qeveritar duhet të bëjë më shumë punë e të ndajë më shumë me publikun”, u shpreh Alija./dukagjini