Ramadani: Kosova shpenzoi mbi 1 miliard euro për importin e rrymës nga viti 2021, me këto para ndërtohej një termocentral
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për varësinë nga importi i energjisë elektrike, duke kërkuar llogaridhënie për mungesën e prodhimit vendor dhe mosrealizimin e projekteve energjetike.
Gjatë debatit në Kuvendin e Kosovës, Ramadani ka deklaruar se nga viti 2021 deri në tetor të vitit 2026, Kosova ka shpenzuar 1 miliard e 55 milionë euro për blerjen e energjisë elektrike.
“Janë hiç më pak se 1 miliard e 55 milionë euro që është blerë rrymë për këto pesë vjet e gjysmë. A e dini që me 1 miliard euro, pothuajse, ishte ndërtuar komplet një termocentral i ri?”, ka deklaruar Ramadani.
Ai ka përmendur edhe shpenzimet për importin e energjisë vetëm gjatë 12 nëntorit, kur sipas tij, Kosova ka paguar 938 mijë euro.
“Po flasim për pak më pak se 1 milion euro të blerjes së rrymës në Kosovë, e që mund të jetë një prej ditëve që më së paku ka kushtuar”, ka thënë ai.
Ramadani ka kritikuar gjithashtu ndërprerjen e kontratës me kompaninë ContourGlobal për ndërtimin e termocentralit të ri me kapacitet prej 500 megavatësh.
“Pse nuk u ndërtua një termocentral i ri? Kjo qeveri, prej vendimeve të para kur ka ardhur në pushtet, ka qenë për ta mbyllur projektin për termocentralin e ri. Me këtë e ka mbyllur mundësinë që Kosova të ketë rrymë të mjaftueshme për vete”, është shprehur deputeti i AAK-së.
Ai ka kërkuar nga Qeveria që të japë llogari për vonesat në projektet energjetike dhe të prezantojë masat konkrete për rritjen e prodhimit vendor.
“Qytetari i Kosovës nuk mund të vazhdojë të përballet me pasiguri energjetike dhe me rritje të shpenzimeve familjare. Prandaj, Qeveria duhet të na japë llogari në Kuvend dhe qytetarëve të Kosovës për çështje konkrete dhe rezultate të munguara”, ka potencuar Ramadani.