Çitaku e quan të turpshëm dhe të papranueshëm aktgjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, e ka cilësuar “të turpshëm” dhe “të papranueshëm” aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë, me të cilin ish-presidenti Hashim Thaçi u dënua me 17 muaj burgim në rastin për pengim të drejtësisë.
Në një reagim në Facebook, Çitaku shprehu zhgënjim dhe shqetësim për vendimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, duke vënë në pikëpyetje administrimin e drejtësisë nga kjo gjykatë.
“Kontestimet procedurale, proceset e njëpasnjëshme dhe zvarritjet shumëvjeçare i kanë thelluar pikëpyetjet tona serioze për administrimin e drejtësisë të kësaj gjykate”, shkroi ajo.
Çitaku paralajmëroi veprime politike, juridike dhe diplomatike në përgjigje të vendimit.
“Padrejtësisë do t’i përgjigjemi ashtu siç e meriton: me qëndresë, mobilizim dhe përkushtim të palëkundur shtetëror e mbarëkombëtar”, tha ajo, duke përsëritur mbështetjen për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.