Kënga nacionalisteserbe në Bruksel, Gërvalla kërkon masa konkrete nga Komisioni Evropian
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian përgjegjësi konkrete institucionale lidhur me interpretimin e një kënge me pretendime nacionaliste serbe ndaj territorit të Kosovës, gjatë hapjes së Forumit të Zgjerimit në Bruksel, më 15 nëntor.
Duke folur në Takimin e 8-të të Nënkomitetit BE-Kosovë për Drejtësi, Liri dhe Siguri, Gërvalla ka thënë se, ndonëse e mirëpret sqarimin e Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, se kënga nuk pasqyron qëndrimin e Komisionit Evropian, një reagim i tillë nuk është i mjaftueshëm.
“Presim pasoja konkrete dhe institucionale: një shpjegim se si u përzgjodh dhe u miratua kjo këngë, përcaktimin e përgjegjësisë dhe masa që një rast i tillë të mos përsëritet”, ka deklaruar Gërvalla.
Ajo ka theksuar se raste të tilla dëmtojnë kredibilitetin e Bashkimit Evropian dhe besimin në paanshmërinë e tij.
“Pavarësia e Republikës së Kosovës në kontinentin evropian si shtet i pavarur dhe sovran është një realitet i cili sot nuk mund të mohohet më nga askush”, ka thënë Gërvalla.
Ministrja ka kërkuar që diskutimet në këtë nënkomitet të mos përfundojnë vetëm me konstatime të përgjithshme, por të prodhojnë përgjegjësi të qarta, hapa konkretë dhe mekanizma të matshëm për zbatimin e rekomandimeve.
Përveç çështjes së këngës, Gërvalla ka folur edhe për procesin e reformës në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, funksionalizimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe nevojën për forcimin e institucioneve të drejtësisë.
Ajo ka bërë të ditur se pakoja e pesë projektligjeve për reformën në drejtësi ka kaluar leximin e parë dhe ndodhet në procedurë parlamentare.
Gërvalla ka pranuar gjithashtu se Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2026 evidenton progres të kufizuar në Kapitullin 23 dhe mungesë progresi në funksionimin e gjyqësorit, duke thënë se këto vlerësime duhet të shërbejnë si shtysë për përshpejtimin e reformave.
Në fjalën e saj, ajo ka vënë theks të veçantë edhe te lufta kundër dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, duke kërkuar koordinim më të madh ndërmjet policisë, prokurorisë, gjykatave dhe shërbimeve sociale.
Në përfundim, ministrja ka ritheksuar orientimin evropian të Kosovës dhe gatishmërinë e institucioneve për të vazhduar reformat, por ka kërkuar që i njëjti seriozitet dhe përgjegjësi të dëshmohet edhe nga partnerët evropianë./Zëri