Koalicioni Shqiptar i gatshëm për dialog me pushtetin e ri në Serbi, s’heq dorë nga kërkesat
Foto: Laura Hasani

Koalicioni Shqiptar i gatshëm për dialog me pushtetin e ri në Serbi, s’heq dorë nga kërkesat

Aktuale November 18, 2026 - 15:36

Deputetët shqiptarë në Kuvendin e Serbisë janë të gatshëm për dialog, bashkëpunim dhe partneritet me autoritetet e reja në Serbi, por se mbeten prapa kërkesave të tyre sa i përket pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Kështu tha gjatë seancës konstituive në Kuvendin serb deputeti nga Koalicioni Shqiptar, Shaip Kamberi.

Tetë parti shqiptare garuan së bashku në zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi, duke fituar dy mandate.

Zgjedhjet i fitoi Lista Studentore, duke siguruar 140 nga 250 mandate në Kuvend dhe duke rrëzuar nga pushteti pas 14 vjetësh Partinë Përparimtare Serbe të ish-presidentit Aleksandar Vuçiq.

Gjatë seancës konstituive, e cila nisi një ditë më parë, Koalicioni Shqiptar shprehu mbështetje për kandidaturën e kësaj liste për kryeparlamentar, Aleksandar Çupiq. Kundërkandidat i tij është Stojan Radenoviq, i propozuar nga partia e Vuçiqit.

Deputetët e Kuvendit të Serbisë po vazhdojnë për të dytën ditë radhazi diskutimet për kandidatët për kryetar të Kuvendit. Kreu i ri i Parlamentit do të jetë edhe ushtrues detyre i presidentit të Serbisë.

Duke folur për kërkesat e shqiptarëve në Serbi, Kamberi tha se ato nuk janë të reja dhe se shumë çështje thelbësore ende nuk janë zgjidhur. Ai u shpreh se presin përfaqësim real të shqiptarëve në institucionet shtetërore, zgjidhjen e çështjes së njohjes së diplomave, ndalimin e pasivizimit të adresave, përmirësimin e arsimit, duke përfshirë sigurimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, si dhe zhbllokimin e fondit që Këshilli Kombëtar Shqiptar merr nga institucionet e Kosovës.

“Do ta mbështesim çdo nismë dhe jemi të gatshëm për partneritet në zgjidhjen e këtyre çështjeve, por nuk do të heqim dorë nga parimet dhe kërkesat tona”, tha Kamberi.

“Vetë e drejta për barazi nuk është e negociueshme”, shtoi ai.

Shqiptarët në Luginë të Preshevës vazhdimisht ankohen për diskriminim dhe nënpërfaqësim institucional në Serbi, por edhe për atë që njihet si pasivizim i adresave.

Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve nga adresat ku kanë qenë të regjistruar. Ky veprim rezulton me humbjen e shtetësisë serbe dhe, rrjedhimisht, të drejtave civile, përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të përfituar sigurim shëndetësor e pension, si dhe për t’u punësuar.

Kjo çështje është ngritur vazhdimisht nga shqiptarët në Luginë, por edhe nga Kosova, që e cilëson si praktikë diskriminuese.

Pasivizimi i adresave ishte përmendur edhe në një raport të Departamentit amerikan të Shtetit më 2023, ku thuhej se kjo praktikë ishte zbatuar në mënyrë joproporcionale ndaj shqiptarëve, sidomos në Medvegjë.

Edhe Komisioni Evropian në raportet për Serbinë kishte ngritur shqetësimet për pasivizimin e adresave të shqiptarëve.

Fituesja e zgjedhjeve në Serbi, Lista Studentore ka premtuar përmirësimin e të drejtave të pakicave në gjuhë, arsim, kulturë dhe informim.

Më herët, Kamberi i kishte thënë Radios Evropa e Lirë se ndryshimi i pushtetit në Serbi nuk garanton vetvetiu një qasje tjetër ndaj shqiptarëve.

Sipas tij, autoritetet e reja do të vlerësohen në bazë të hapave konkretë për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve.

Lista Studentore, e cila ka fituar mjaftueshëm vota që ta formojë e vetme ekzekutivin, nuk ka treguar konkretisht nëse do të bashkëpunojë me partitë e pakicave.

Me konstituimin e Kuvendit, sipas ligjeve në Serbi, qeveria e re do të duhet të formohet brenda 90 ditësh.