300 mijë udhëtarë për dhjetë ditë, Aeroporti i Tiranës përgatitet për fluksin e festave

300 mijë udhëtarë për dhjetë ditë, Aeroporti i Tiranës përgatitet për fluksin e festave

Aktuale November 20, 2026 - 10:53

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka regjistruar një fluks të lartë udhëtarësh gjatë fillimit të nëntorit, me 300 mijë pasagjerë në vetëm 10 ditë.

Këtë e ka bërë të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në Facebook, duke theksuar se aeroporti po përgatitet për rritjen e mëtejshme të numrit të udhëtarëve gjatë festave të nëntorit.

Sipas Ramës, aktualisht po zhvillohen punime për zgjerimin e kapaciteteve të aeroportit, me qëllim krijimin e hapësirave shtesë për pasagjerët dhe përmirësimin e shërbimeve.

Ai ka bërë të ditur se ndërhyrjet po realizohen gjatë orëve të natës, në mënyrë që të mos pengohen fluturimet dhe aktiviteti i përditshëm i aeroportit.

Punimet pritet të përfundojnë më 27 nëntor, përpara fluksit të udhëtarëve që pritet gjatë festave kombëtare të Shqipërisë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Rama, mesatarisht rreth 30 mijë pasagjerë në ditë kanë kaluar përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës gjatë 10 ditëve të para të nëntorit.

Zgjerimi i aeroportit synon të krijojë kushte për përballimin e kërkesës në rritje për udhëtime ajrore, veçanërisht gjatë periudhave me fluks të shtuar të pasagjerëve.