Protesta në Tiranë, thirrje për mobilizim më 28 Nëntor
Studentë dhe qytetarë dolën sërish sot në protestë para Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar largimin e klasës së vjetër politike, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e kushteve dinjitoze për të ardhmen e të rinjve në Shqipëri.
Protesta, e nisur rreth orës 14:00, u shoqërua me tensione mes protestuesve dhe forcave të policisë. Pranë Ministrisë së Arsimit u dislokuan forca të shumta policie dhe autobotë me ujë, ndërsa autoritetet nuk lejuan bllokimin e qarkullimit në rrugën e Durrësit.
Situata u tensionua edhe në rrugën “Myslym Shyri”, ku një grup protestuesish u vunë flakën koshave të mbeturinave dhe u përballën me kordonin e policisë.
Protestuesit ritheksuan se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre, duke e cilësuar dorëheqjen e kryeministrit si të panegociueshme. Ata kanë refuzuar më herët thirrjet e Ramës për dialog, ndërsa kryeministri ka deklaruar se është i gatshëm të bisedojë me studentët, por jo me ata që përdorin dhunën.
Pas qëndrimit para Ministrisë së Arsimit, protestuesit marshuan në rrugët e kryeqytetit drejt Kryeministrisë. Atje u dëgjuan thirrje për mobilizim masiv më 28 Nëntor, datë kur është paralajmëruar një protestë kombëtare.
Marshimi vijoi drejt sheshit “Skënderbej”, ku protestuesit kënduan himnin kombëtar dhe më pas shpallën përfundimin e tubimit.
Megjithatë, mesazhi i protestuesve mbetet i qartë: protesta do të vijojë dhe 28 Nëntori shihet si dita e mobilizimit të madh qytetar.