Bajrami kërkon sqarime nga ZRRE-ja për licencën e kompanisë së Hamoviqit
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) të sqarojë nëse vazhdon të jetë në plan vazhdimi i licencës për kompaninë EFT, në pronësi të Vuk Hamoviqit.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka rikujtuar se në mbledhjen e 23 tetorit 2026, Bordi i ZRRE-së kishte paraparë në rend dite edhe çështjen e vazhdimit të licencës së kësaj kompanie, por vendimi ishte shtyrë.
Ajo ka theksuar se pas këtij zhvillimi, më 16 nëntor, Qeveria e Kosovës mori vendim për ndalimin e tregtisë së energjisë elektrike me kompanitë serbe.
Në këtë kontekst, Bajrami ka kërkuar që ZRRE-ja të bëjë të ditur nëse rilicencimi i EFT-së vazhdon të jetë në rend dite apo është larguar nga agjenda.
“ZRRE duhet të na përgjigjet publikisht: A e ka ende në rend dite rilicencimin e EFT-së apo e ka hequr nga rendi i ditës?”, ka shkruar ajo.