PRAK-u reagon pas arrestimit të të dyshuarit për mashtrim me fushatë humanitare, kërkon sigurim shëndetësor funksional
Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK) ka reaguar pas identifikimit dhe arrestimit të një personi të dyshuar për mashtrim përmes një fushate humanitare për trajtim shëndetësor, duke kërkuar njëkohësisht nga institucionet funksionalizimin e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor dhe krijimin e mekanizmave shtetërorë për mbulimin e shpenzimeve të trajtimit të pacientëve.
PRAK-u ka përgëzuar Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe Policinë e Kosovës për reagimin dhe veprimet e ndërmarra në identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar.
Sipas kësaj shoqate, raste të tilla, përveç dëmit financiar, mund të dëmtojnë edhe besimin e qytetarëve në fushatat humanitare dhe gatishmërinë e tyre për të ndihmuar pacientët që kanë realisht nevojë për trajtim.
Për këtë arsye, PRAK-u vlerëson se hetimi dhe ndëshkimi i mashtrimeve të tilla, në përputhje me ligjin, janë të domosdoshme për mbrojtjen e solidaritetit qytetar.
Megjithatë, shoqata thekson se ky rast duhet të shërbejë edhe si thirrje për institucionet që të marrin më shumë përgjegjësi në garantimin e kujdesit shëndetësor dhe mbrojtjes financiare të qytetarëve.
Në reagim, PRAK-u kërkon funksionalizimin e plotë të sigurimit të detyrueshëm shëndetësor, si dhe forcimin e mekanizmave shtetërorë për financimin e trajtimeve, veçanërisht për pacientët që kanë nevojë për shërbime të cilat nuk ofrohen në institucionet publike të Kosovës.
Sipas Shoqatës, mbështetja financiare për pacientët duhet të organizohet përmes procedurave të qarta, vlerësimeve profesionale mjekësore dhe kritereve transparente për përfitimin e fondeve publike.
PRAK-u vlerëson se çdo pacient dhe familje duhet të ketë informacione të qarta se ku mund të drejtohet, cilat trajtime mund të mbulohen dhe si mund të përfitojë mbështetje financiare, pa qenë e detyruar të mbështetet vetëm në fushata humanitare.
Një tjetër çështje që ngrihet në reagim është edhe fuqizimi i kujdesit parësor shëndetësor. PRAK-u kërkon që secili qytetar të ketë mundësinë e përzgjedhjes së mjekut familjar, i cili do të luante rol kyç në identifikimin e nevojave shëndetësore, përcjelljen e pacientëve dhe orientimin e tyre drejt shërbimeve përkatëse.
Në fund, Shoqata thekson se solidariteti qytetar duhet të ruhet, por nuk mund ta zëvendësojë përgjegjësinë e shtetit për të garantuar trajtim shëndetësor dhe mbrojtje financiare.
“Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë që asnjë pacient të mos mbetet pa trajtimin e nevojshëm për shkak të gjendjes ekonomike dhe që sa më pak familje të detyrohen të kërkojnë ndihmë përmes fushatave humanitare”, thuhet në reagimin e PRAK-ut. /Gazeta Shneta