Trumpi thotë se nuk planifikon zgjatjen e armëpushimit me Iranin
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se nuk planifikon që të zgjasë armëpushimin dyjavor me Iranin.
“Mund të përfundojë në të dyja mënyrat, por unë mendoj se më e preferueshme është është një marrëveshje sepse më pas ata mund të rindërtohen”, tha Trump në një intervistë dhënë mbrëmjen e 14 prillit për ABC News.
Të dyja palët arritën një marrëveshje më 7 prill, për t’i dhënë fund luftës që nisi më 28 shkurt me sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.
Marrëveshja e armëpushimit synon t’u japë palëve kohë për bisedime të paqes dhe një rund bisedimesh u mbajt fundjavën e kaluar në Islamabad.
Gjatë negociatave më 11-12 prill, SHBA-ja dhe Irani nuk arritën një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.
Ndërkaq, më herët gjatë 14 prillit, Trumpi sugjeroi se një rund i ri bisedimesh me Iranin mund të mbahet pas një ose dy ditësh.
“Duhet të qëndroni aty, sepse diçka mund të ndodhë gjatë dy ditëve të ardhshme dhe ne jemi më të prirë që të shkojmë atje [sesa në një vend tjetër]”, citohet të ketë thënë Trump për Washington Post, duke iu referuar Islamabadit, teksa armëpushimi po shkon drejt fundit.
Mediat më herët gjatë së martës raportuan se Pakistani po synon që të ndërmjetësojë një rund të ri bisedimesh më vonë gjatë javës.
Raportimet erdhën pas një interviste në të cilën nënpresidenti amerikan, JD Vance, rriti mundësitë për takime të mëtejme, duke theksuar se “shumë përparim” u arrti gjatë bisedimeve më 11-12 prill.
Një nga çështjet kyçe është mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani, rrugë ujore ku para se të niste lufta kalonte një e pesta e dërgesave globale të naftës dhe gazit.
Pasi bisedimet në Islamabad përfunduan pa marrëveshje, Trumpi njoftoi se SHBA-ja do të bllokonte ngushticën dhe do të shënjestronte anijet që nisen nga Irani ose drejt Republikës Islamike. /REL