Zelensky: Witkoffi dhe Kushneri planifikojnë vizitë në Ukrainë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se i dërguari special i SHBA-së Steve Witkoff dhe dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner planifikojnë të vizitojnë Ukrainën.
Deklarata u bë gjatë një konference për shtyp në Oslo, ku Zelensky ishte së bashku me kryeministrin norvegjez, Jonas Gahr Støre.
Sipas kreut të shtetit ukrainas, qëllimi për këtë vizitë u konfirmua gjatë bisedës së tyre të fundit, e cila u cilësua si pozitive. Megjithatë, ai theksoi se ende nuk ka një datë të saktë për mbërritjen e tyre.
“Nuk kemi marrë asnjë informacion se kur do të mbërrijnë. I gjithë ekipi im pati komunikim me ta. Ishte një bisedë pozitive dhe ata konfirmuan se do të vijnë”, deklaroi Zelensky, sipas raportimit të UNIAN-it.
Vizita e mundshme e zyrtarëve amerikanë pritet të zhvillohet në një moment kritik për Ukrainën, mes zhvillimeve të vazhdueshme në front dhe përpjekjeve diplomatike për mbështetje ndërkombëtare.