Tërmeti godet Iranin, raportohet lëkundje pranë Teheranit

Tërmeti godet Iranin, raportohet lëkundje pranë Teheranit

Bota May 12, 2026 - 23:27

Një tërmet me magnitudë 4.6 ballë ka goditur Iranin, duke u ndjerë në një zonë të gjerë në kufirin mes provincave të Teheranit dhe Mazandaranit, pranë qytetit Pardis.

Lajmi është konfirmuar nga mediat shtetërore iraniane, ndërsa autoritetet kanë nisur verifikimet në terren.

Sipas të dhënave sizmologjike, tërmeti është regjistruar në orën 23:46 sipas kohës lokale (22:15 sipas kohës sonë lokale), me një thellësi prej rreth 10 kilometrash.

Kjo thellësi e konsideruar relativisht e cekët bën që lëkundjet të ndihen më fort në sipërfaqe, veçanërisht në zonat e banuara, shkruan skynews.

Banorë të zonës kanë raportuar lëkundje të forta për disa sekonda, ndërsa disa prej tyre kanë dalë jashtë banesave si masë paraprake. Deri tani nuk ka raportime zyrtare për viktima apo dëme të mëdha materiale, por shërbimet emergjente dhe strukturat lokale të mbrojtjes civile janë vënë në gatishmëri për të inspektuar ndërtesat dhe infrastrukturën.

Ekspertët e sizmologjisë theksojnë se një tërmet me magnitudë 4.6 klasifikohet si lëkundje e lehtë deri mesatare. Ai zakonisht ndjehet nga popullsia në zonat pranë epiqendrës, por rrallë shkakton dëme serioze, përveç rasteve kur ndërtesat janë të dobëta ose të ndërtuara pa standarde antisizmike.

Autoritetet iraniane pritet të publikojnë informacione të mëtejshme gjatë orëve në vijim, ndërsa situata po monitorohet nga afër për çdo pasgoditje të mundshme. /telegrafi/