Gjyqtari misterioz i Iranit që i çon protestuesit drejt vdekjes
Dihet shumë pak për gjyqtarin Mohammad Reza Tavakoli, përveç prirjes së tij për të shqiptuar dënime të ashpra.
I vlerësuar nga sistemi gjyqësor i Iranit si një “gjyqtar shembullor”, ai mund të shtojë edhe 12 burra në listën e dhjetëra të burgosurve politikë, të ekzekutuar gjatë muajve të fundit.
Më 5 korrik, Gjykata Supreme e Iranit la në fuqi dënimet me vdekje që Tavakoli ua shqiptoi këtyre 12 personave, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e efektivëve të forcave speciale gjatë protestave në Isfahan - pjesa qendrore e Iranit - më 8 janar.
Ekzekutimi i tyre mund të ndodhë shpejt.
Sipas një bilanci të fundit të organizatës Amnesty International, që nga fillimi i sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt, autoritetet iraniane kryen 44 ekzekutime “me motive politike”, duke u thirrur në ato që i quajnë “rrethana lufte”.
Një tjetër ekzekutim u krye më 15 korrik, kur u vra Mohammad Amini Dehaqani, i dënuar për pjesëmarrje në protestat mbarëkombëtare të janarit.
Me konfirmimin e dënimeve të fundit, gjyqtari Mohammad Reza Tavakoli pritet të mbajë përgjegjësi për një pjesë të konsiderueshme të dënimeve me vdekje të zbatuara në Iran.
Duke pasur parasysh historikun e tij, kjo nuk konsiderohet befasi.
Një “gjyqtar shembullor” i Republikës Islamike
Mediat iraniane, të lidhura me autoritetet, e përshkruan Tavakolin si një nga “gjyqtarët shembullorë të Republikës Islamike”.
Ai mori vlerësime dhe mirënjohje edhe nga zyrtarë të tjerë të sistemit gjyqësor.
Por, pavarësisht rolit të tij të rëndësishëm, për jetën e Tavakolit dihet shumë pak.
Nuk ka të dhëna publike as për vendlindjen, as për arsimimin e tij.
Sipas mediave shtetërore iraniane, në nëntor të vitit 2023, ai u emërua zëvendëskryetar i Gjykatave të Përgjithshme dhe Revolucionare të Isfahanit, si dhe kryetar i Degës së Parë të Gjykatës Revolucionare të këtij qyteti.
Emri i tij u bë i njohur në prill të vitit pasues, kur shqiptoi një dënim me vdekje ndaj reperit iranian, Toomaj Salehi.
Salehi, 33 vjeç, u arrestua fillimisht për këngët e tij në mbështetje të protestave mbarëkombëtare “Grua, Jetë, Liri”, në vitin 2022.
Pasi u lirua, ai publikoi një video ku pretendonte se ishte torturuar gjatë paraburgimit.
Pak kohë më vonë, autoritetet e arrestuan sërish.
Rasti shkaktoi reagime të shumta ndërkombëtare.
Në Evropë dhe Amerikë të Veriut u organizuan protesta, ndërsa ligjvënës perëndimorë kërkuan lirimin e Salehit.
Më pas, një gjykatë më e lartë e rrëzoi dënimin me vdekje dhe urdhëroi lirimin e tij.
Aktivistët për të drejtat e njeriut e cilësuan këtë rast si “një pikë të re të ulët” në fushatën e autoriteteve iraniane kundër mendimit ndryshe.
Një grup dypartiak prej 12 ligjvënësish amerikanë kërkoi vendosjen e sanksioneve ndaj Tavakolit, por ato nuk u miratuan.
Megjithatë, kjo nuk ishte hera e parë që Tavakoli shqiptoi një dënim me vdekje.
Në vitin 2020, në një detyrë të mëparshme, ai dënoi me vdekje 30-vjeçarin Mostafa Salehi, i akuzuar për vrasjen e një zyrtari të sigurisë gjatë protestave të viteve 2017-2018 në Isfahan.
Në vitin 2024, Tavakoli e forcoi edhe më tej reputacionin e tij si një gjyqtar që shqipton dënime të ashpra.
Në maj të atij viti, ai dënoi me nga pesë vjet burgim 15 gra të besimit Baha’i - pjesëtare të komunitetit më të madh jomysliman në Iran, i cili prej dekadash përballet me përndjekje sistematike - nën akuzat se kishin promovuar besimin e tyre.
Më pas, në dhjetor, Tavakoli shqiptoi dënimet më të rënda të parashikuara nga ligji iranian ndaj 22 të pandehurve politikë.
Ata u akuzuan për anëtarësim në grupe që, sipas autoriteteve, synonin të minonin sigurinë kombëtare dhe të përhapnin propagandë kundër shtetit.
Ashtu si në shumë procese të tjera politike në Iran, edhe këto gjykime u shoqëruan me prova të dobëta, mungesë të avokatëve mbrojtës dhe dyshime se të pandehurit ishin torturuar për të dhënë deklarata.
Edhe 12 viktima
Procesi më i fundit i drejtuar nga Tavakoli lidhet me atë që në Iran njihet si rasti i Sheshit Alikhani.
Agjencitë shtetërore të lajmeve dhe mediat e lidhura me autoritetet publikuan pamje që, sipas tyre, tregonin se si protestuesit vranë katër pjesëtarë të forcave të sigurisë në Isfahan, në kulmin e protestave mbarëkombëtare të 8 janarit.
Televizioni shtetëror transmetoi gjithashtu rrëfime të disa prej të pandehurve, të cilat dukej se ishin dhënë nën presion.
Në total, gjykata e drejtuar nga Tavakoli nxori para drejtësisë 59 persona.
Prej tyre, 23 u dënuan me nga pesë deri në dhjetë vjet burgim, ndërsa 12 të tjerë morën dënime me vdekje.
Tavakoli i përfundoi të gjitha fazat e procesit në vetëm tri seanca - secila nga një orë.
Asnjëri prej të pandehurve nuk kishte avokat, ndërsa gjyqësori nuk ka publikuar dokumentacionin mbi akuzat.
Të dënuarit me vdekje janë të moshës 18 deri në 24 vjeç.
Disa prej tyre ishin të mitur në kohën kur dyshohet se i kryen veprat. /REL