Kolumbi, 32-vjeçarja gjendet e gjallë pasi kaloi 36 orë nën rrënojat e tërmetit

Kolumbi, 32-vjeçarja gjendet e gjallë pasi kaloi 36 orë nën rrënojat e tërmetit

Bota August 12, 2026 - 15:48

Daniela Largo, 32 vjeçe, u nxor e gjallë nga rrënojat në qytetin e Pereiras, 36 orë pasi tërmeti me magnitudë 7.4 goditi Kolumbinë dhe e la të bllokuar.

Operacioni për shpëtimin e saj zgjati rreth 10 orë. Ekipet mundën ta gjenin pasi një banor dëgjoi zërin e 32-vjeçares teksa kërkonte ndihmë.

Zjarrfikësit përdorën një kamerë të vogël për të përcaktuar pozicionin e Largos. Katër pllaka të rënda betoni pengonin mbërritjen tek ajo, ndaj ekipet hapën dy tunele: nga njëri i dërguan oksigjen, kurse përmes tjetrit e nxorën nga rrënojat. Më pas, ajo u dërgua me ambulancë për trajtim mjekësor.

Lëkundjet kanë lënë pas dëme të konsiderueshme në pjesën perëndimore të Kolumbisë. Të dhënat zyrtare flasin për të paktën 188 viktima, ndërsa qindra persona të tjerë figurojnë të zhdukur.

Të paktën 92 ndërtesa janë rrëzuar në Pereira. Ndërkohë, në Cali, ekipet e emergjencës vazhdojnë të kërkojnë njerëzit që kanë mbetur nën rrënoja.

Gjetja e Daniela Largos të gjallë u ka dhënë shpresë ekipeve të emergjencës, të cilat po vijojnë operacionet në zonat e prekura më rëndë nga tërmeti. /albeu