392 viktima dhe mbi 1300 të zhdukur, pas përmbytjeve në Nepal dhe Kinë

392 viktima dhe mbi 1300 të zhdukur, pas përmbytjeve në Nepal dhe Kinë

Bota August 27, 2026 - 20:52

Të paktën 392 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet apokaliptike në rajonin malor kufitar mes Nepalit dhe Kinës, ndërsa mbi 1 300 të tjerë rezultojnë të zhdukur, bëjnë të ditur autoritetet, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë.

Nga viktimat, 359 janë regjistruar në Nepal dhe tre në Kinë.

Shumë prej trupave të gjetur në territorin nepalez janë transportuar nga rrjedha e ujit për kilometra në drejtim të kufirit me Indinë.

Në disa raste, ekipet e shpëtimit kanë gjetur vetëm pjesë trupash.

Policia nepaleze raportoi se qindra persona janë shpëtuar ose kanë marrë ndihmë mjekësore, ndërsa mijëra efektivë të ushtrisë dhe policisë janë angazhuar në operacionet e shpëtimit.

Ushtria nepaleze ka evakuuar me helikopter qindra persona nga zonat e prekura.

Sipas kryeministrit Balen Shah, mbi 13 000 efektivë të ushtrisë dhe policisë janë mobilizuar për operacionet e emergjencës.

Vetëm gjatë së enjtes, 573 persona u evakuuan përmes 69 fluturimeve të ndihmës.

Bordi i Turizmit të Nepalit bëri të ditur se 31 shtetas të huaj të raportuar të zhdukur janë shpëtuar, ndërsa 667 udhëtarë nga Nepali dhe vende të tjera vijojnë të konsiderohen të zhdukur.

Në anën kineze, në Tibet, më shumë se 550 persona rezultojnë të zhdukur, sipas mediave shtetërore kineze, mes tyre rreth 260 shtetas të huaj.

Ministria e Jashtme e Indisë njoftoi gjithashtu se të paktën 288 shtetas indianë janë të zhdukur në Nepal.

Shumë prej tyre ishin pelegrinë që udhëtonin drejt malit Kailash dhe liqenit Manasarovar në Tibet, ndërsa 73 persona punonin në një projekt hidroenergjetik në lumin Trishuli.

Përmbytja e së mërkurës shkatërroi ura, mbuloi rrugë dhe dëmtoi banesa brenda pak sekondash, duke izoluar komunitete të tëra.

Ekipet e shpëtimit po kërkojnë mes baltës dhe mbetjeve të shkaktuara nga rrjedha e fuqishme e ujit.

Vlerësimet paraprake sugjerojnë se një shembje akullnajore dhe rrjedhje masive inertesh mund të kenë bllokuar përkohësisht një degë të lumit Bhotekoshi, duke krijuar një liqen natyror.

Shpërthimi i mëvonshëm i këtij liqeni dyshohet se shkaktoi një valë të fuqishme uji, akulli dhe balte që përfshiu zonat në rrjedhën e poshtme.

Autoritetet kineze kanë paralajmëruar ndërkohë për rrezikun e përmbytjeve të tjera, pasi në anën nepaleze të kufirit është formuar një tjetër liqen.

Sipas televizionit shtetëror kinez, duke cituar Ministrinë e Burimeve Ujore, liqeni përmban rreth 2,0 milionë metra kub ujë, ndërsa deri në 3,0 milionë metra kub të tjera mund të derdhen në të.

Autoritetet thanë se liqeni kishte nisur tashmë të tejmbushej.

Fatkeqësia kërcënon gjithashtu jetesën e komuniteteve në këtë zonë të thellë të Himalajeve.

Organizata gjermane e ndihmës ”Welthungerhilfe” paralajmëroi se humbja e banesave dhe të korrave mund t’i lërë shumë familje pa burimet e tyre kryesore të jetesës./atsh