Zelensky jep detaje të takimit me përfaqësuesit e dërguar nga Trumpi

Zelensky jep detaje të takimit me përfaqësuesit e dërguar nga Trumpi

Bota September 06, 2026 - 16:40

Të dërguarit e SHBA-së për negociatat e paqes, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, kanë mbërritur në Kiev, ku janë takuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Vizita e tyre është pjesë e përpjekjeve të administratës së Donald Trump për të arritur një marrëveshje që do t’i jepte fund luftës në Ukrainë.

Sipas Reuters, kjo është vizita e parë e Kushnerit dhe Witkoffit në Kiev në cilësinë e negociatorëve amerikanë.

Ata udhëtuan drejt Ukrainës pas takimit me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë, ku zhvilluan rreth tri orë bisedime.

Takimi me Putinin u cilësua nga këshilltari i Kremlinit, Yuri Ushakov, si “shumë i dobishëm”, megjithatë nuk u arrit marrëveshje për përfundimin e luftës.

Ndërkohë, Zelensky ka bërë të qartë se Ukraina është e gatshme të punojë për paqe, por kërkon garanci të forta sigurie dhe një marrëveshje që e konsideron të denjë për vendin.

“Nevojiten garanci sigurie. Nevojitet një paqe dinjitoze pas luftës. Propozimet tona janë hartuar”, deklaroi presidenti ukrainas.