Mbijetoi dhjetë ditë nën rrënoja, gruaja nxirret e gjallë në Nepal

Mbijetoi dhjetë ditë nën rrënoja, gruaja nxirret e gjallë në Nepal

Bota September 06, 2026 - 17:18

Duke besuar se kishte humbur jetën në përmbytjet vdekjeprurëse në Nepal, familja e Chandika Kumari Shrestha kishte nisur ritualin e zisë për vdekjen e saj.

Por, dhjetë ditë më vonë, ekipet e shpëtimit e gjetën gruan të gjallë brenda shtëpisë së saj të shembur në fshatin e shkatërruar Betrawati. Ajo kishte mbijetuar në një hapësirë të ngushtë ajri, e rrethuar nga uji dhe balta.

“Banesa katërkatëshe u përfshi nga përmbytjet dhe mbeti në mes të një zone me baltë të thellë. Teksa po ecnim përreth saj, dëgjuam një zë që thoshte: ‘Më shpëtoni’”, tha polici Mahendra Darnal.

Operacioni i shpëtimit zgjati rreth 45 minuta. Darnal dhe ekipi i tij arritën ta nxirrnin Shresthën nga hapësira e ngushtë ku kishte mbijetuar dhe e dërguan në një spital ushtarak.

“Kam qenë në kontakt me familjen dhe ata tashmë kishin nisur periudhën 11-ditore të zisë”, tha Darnal.

Përmbytjet kanë shkaktuar një katastrofë të madhe në Nepal, ku kanë humbur jetën më shumë se 1,300 persona, ndërsa mijëra të tjerë vazhdojnë të figurojnë të zhdukur.