Ministri francez i Financave i bën thirrje Britanisë të rikthehet plotësisht në BE
Ministri francez i Financave, Roland Lescure, i ka bërë thirrje Britanisë të rikthehet “plotësisht” në BE, pasi kryeministri Andy Burnham la të kuptohet se një referendum i dytë për Brexit-in ishte “i mundur” në një program të ardhshëm zgjedhor të Partisë Laburiste.
Lescure tha se anëtarësimi në bllok sjell disa vështirësi, por u mundëson vendeve anëtare t’u përgjigjen më mirë sfidave me të cilat përballet bota.
Javën e kaluar, Burnham theksoi se Britania e Madhe duhet t’i “shqyrtojë opsionet”, duke filluar nga ruajtja e gjendjes aktuale, ribashkimi me bashkimin doganor ose tregun e përbashkët, e deri te rikthimi “plotësisht” në bllok.
I pyetur për komentet e kryeministrit, Lescure i tha BBC-së: “Populli britanik mori një vendim – dhe kjo është pa dyshim e drejta e tyre e plotë – ndaj, nëse ata janë të gatshëm të rikthehen, u takon atyre të vendosin”.
Ai shtoi: “Por ajo që mund t’u them është: rikthehuni, në çdo kohë”.
Kohët e fundit, Burnhami paralajmëroi se rregullat e planifikuara të BE-së për të mbështetur prodhuesit evropianë do të dëmtonin Britaninë e Madhe.
Kryeministri shprehu shqetësimin se si industria britanike dhe zinxhirët e furnizimit mund të prekeshin nga skema e planifikuar “Made In Europe”.
Propozimet synojnë të mbrojnë industrinë e BE-së nga konkurrentët kinezë, duke u dhënë përparësi kompanive brenda bllokut për kontratat publike dhe subvencionet.
Dhe industria e automobilave në BE ka kërkuar që Britania e Madhe të përfshihet në këtë skemë, për të shmangur ndërprerjet në zinxhirët e saj të furnizimit.
I pyetur për mundësinë që Britania të lihet jashtë kësaj skeme, Lescure tha: “Rikthehuni, uluni në tryezë dhe ne do t’i diskutojmë të gjitha këto çështje së bashku”.