Poloni: Një viktimë pas një tjetër sulmi me thikë në një shkollë

Poloni: Një viktimë pas një tjetër sulmi me thikë në një shkollë

Bota October 08, 2026 - 19:47

Një punonjëse shkolle ka humbur jetën pasi u sulmua me thikë sot nga një nxënës 15-vjeçar, në një shkollë në Leszczydol-Nowiny, pranë Wyszkow, rreth 50 kilometra në verilindje të Varshavës.

Ministri i Brendshëm polak, Marcin Kierwinski tha fillimisht se gruaja po i nënshtrohej trajtimit në reanimacion, por policia e provincës Mazowieckie njoftoi më pas se ajo nuk mundi t’u mbijetonte plagëve.

Në incident u plagosën gjithsej tre persona.

Adoleshenti plagosi gjithashtu drejtorin e shkollës, i cili arriti ta neutralizonte dhe ndalonte sulmuesin.

Ndërkohë, në qytetin Sierpc, në Poloninë veriore, policia arrestoi një 17-vjeçar, pasi një mësues kishte raportuar shqetësimet për një sulm të mundshëm.

Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën dy thika, ndërsa në telefonin e tij policia zbuloi histori kërkimesh që lidhej me planifikimin e një sulmi.

Vetëm një ditë më parë, një tjetër sulm me thikë kishte ndodhur në një shkollë në Ostrolcka, në verilindje të Polonisë.

Një nxënës 19-vjeçar plagosi nëntë persona dhe më pas plagosi edhe veten.

Seria e incidenteve ka shkaktuar shqetësim të madh në Poloni.

Kryeministri Donald Tusk thirri në një takim urgjent ministrat e Brendshëm, Arsimit, Shëndetësisë dhe Çështjeve Digjitale, së bashku me koordinatorin e shërbimeve speciale dhe drejtuesin e policisë, për të diskutuar dhunën në shkolla./atsh