Përshkallëzohen tensionet SHBA-Iran, goditet një anije tregtare në Gjirin e Omanit

Përshkallëzohen tensionet SHBA-Iran, goditet një anije tregtare në Gjirin e Omanit

Bota November 08, 2026 - 16:18

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit janë përshkallëzuar sërish pas një incidenti detar në Gjirin e Omanit, ku forcat amerikane goditën një anije tregtare, pasi ekuipazhi i saj nuk iu bind paralajmërimeve, për të ndaluar dhe tentoi të shmangte bllokadën detare ndaj porteve iraniane, sipas AP.

Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane (CENTCOM) njoftoi se një avion ushtarak amerikan, përdori municione me precizion për të goditur pjesën e pasme të anijes M/V Huda, me flamur të Shën Kitsit dhe Nevisit, duke e nxjerrë atë jashtë funksionit.

Sipas ushtrisë amerikane, anija kishte vizituar më parë një port iranian dhe po përpiqej të largohej nga ujërat e rajonit, në kundërshtim me bllokadën detare amerikane.

CENTCOM deklaroi se ekuipazhit i ishte kërkuar të braktiste zonat që do të goditeshin, ndërsa paralajmërimet e përsëritura nuk ishin zbatuar.

Ndërkohë, Garda Revolucionare e Iranit pretendoi se dy anije cisternë me naftë, kishin goditur mina detare në zonën e Ngushticës së Hormuzit dhe ishin përfshirë nga flakët.

Sipas deklaratës iraniane, njëra prej anijeve cisternë, ndodhej në pjesën lindore të ngushticës, ndërsa tjetra brenda korridorit detar.

Teherani pretendoi se anijet po lundronin në një itinerar të paautorizuar dhe kishin çaktivizuar sistemet e tyre të navigimit.

Këto pretendime nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Ndërkohë, Garda Revolucionare paralajmëroi se çdo anije që bashkëpunon me forcat amerikane ose shkel rregullat iraniane të lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, rrezikon të goditet nga mina detare.

Incidentet detare vijnë në një kohë kur Uashingtoni dhe Teherani, po përballen me vështirësi, në përpjekjet për të arritur një marrëveshje që do t’i jepte fund konfliktit.

Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi gjithashtu, se forcat amerikane kishin kryer sulme të reja të kufizuara ndaj Iranit, duke goditur një sistem iranian të mbrojtjes ajrore në ishullin Qeshm.

Ndërkohë, media iraniane raportoi për shpërthime të tjera në ishullin Qeshm, si dhe në zonat e Sirikut, Jaskut dhe Bandar Abbasit.

Në përpjekje për të ulur tensionet, Katari po ndërmjetëson një propozim që synon krijimin e kushteve për rifillimin e negociatave mes dy vendeve.

Sipas zyrtarëve rajonalë, plani parashikon masa të ndërsjella gjatë një periudhe dyditore.

SHBA-ja do të lehtësonte bllokadën detare dhe do të lironte një pjesë të fondeve iraniane të ngrira, ndërsa Irani do të lejonte inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) të hynin në objektet bërthamore të goditura më parë nga sulmet amerikane dhe izraelite.

Në këmbim, Teherani do të rihapte Ngushticën e Hormuzit për lundrimin ndërkombëtar, sipas një mekanizmi të propozuar në bashkëpunim me Omanin.

Megjithatë, negociatat mbeten të vështira, pasi Irani kërkon gjithashtu heqjen e sanksioneve, lirimin e aseteve të ngrira, kompensimin për dëmet e luftës dhe përfundimin e armiqësive në rajon.

Ngushtica e Hormuzit është një nga korridoret më të rëndësishme detare në botë, pasi përmes saj kalon një pjesë e konsiderueshme e furnizimit global me naftë dhe gaz.

Përshkallëzimi i incidenteve në këtë zonë, ka rritur shqetësimet për sigurinë e transportit detar dhe furnizimin me energji në tregjet ndërkombëtare. /atsh