Danimarka ndan 643 milionë euro ndihmë ushtarake për Ukrainën

Danimarka ndan 643 milionë euro ndihmë ushtarake për Ukrainën

Bota November 10, 2026 - 14:35

Danimarka ka njoftuar një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 643 milionë eurosh, në kohën kur presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po zhvillon takime me liderët e vendeve nordike në Kopenhagë.

Ministri i Jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen, bëri të ditur se ndihma e re kap vlerën e 4.8 miliardë koronave daneze dhe përbën paketën e 32-të të mbështetjes ushtarake për Ukrainën.

Përveç ndihmës ushtarake, Danimarka do të ndajë edhe 150 milionë korona daneze, rreth 20 milionë euro, për të mbështetur sektorin energjetik të Ukrainës, raportoneuronews.

Gjatë vizitës në Kopenhagë, Zelensky po zhvillon bisedime me kryeministren daneze Mette Frederiksen dhe liderët e tjerë nordikë, duke përfshirë përfaqësues nga Suedia, Norvegjia dhe Finlanda.

Në fokus të takimeve janë forcimi i mbështetjes ushtarake për Ukrainën, mbrojtja ajrore dhe siguria e infrastrukturës energjetike, në një kohë kur vendi përballet me sulme të vazhdueshme ruse ndaj objekteve kritike.

Danimarka dhe vendet nordike mbeten ndër mbështetësit kryesorë të Ukrainës në përpjekjet e saj për t’u mbrojtur nga agresioni rus.