Serbia arreston ish-ministrin e Ekonomisë

Serbia arreston ish-ministrin e Ekonomisë

Bota November 11, 2026 - 12:11

Ish-ministri i Ekonomisë i Serbisë, Rade Basta, u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, nën dyshimin se, gjatë kohës kur drejtonte ndërmarrjen publike komunale “Beogradske elektrane”, i kishte shkaktuar asaj dëme financiare në vlerë prej dhjetëra miliona dinarësh, raporton Radio-Televizioni i Serbisë (RTS).

Ende nuk ka konfirmim zyrtar nga policia për arrestimin.

Sipas RTS-së, Basta dyshohet se ka miratuar donacione të pabazuara për klube të ndryshme sportive, përfshirë klube të vogla futbolli dhe basketbolli, si dhe një klub të sportit të kalërimit.

RTS-ja raporton, gjithashtu, se pjesëtarët e Shërbimit për Luftimin e Korrupsionit po zhvillojnë një operacion që përfshin arrestime dhe kontrolle të ambienteve.

Basta u arrestua në orët e hershme të 11 nëntorit në Aeroportin Nikolla Teslla të Beogradit, sipas raportimeve.

Ai shërbeu si ministër i Ekonomisë i Serbisë nga tetori i vitit 2022 deri në vitin 2023, kur u shkarkua nga detyra.

Gjatë kohës sa ishte ministër, ai kishte kërkuar vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, duke argumentuar se Serbia po paguante një çmim të lartë për shkak të mosvendosjes së tyre.

Serbia është një nga vendet e pakta në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës.

Sipas informacioneve jozyrtare të RTS-së, në shënjestër janë edhe disa persona të tjerë që dyshohet se kanë lidhje me Bastën.

Vala e arrestimeve pas ndryshimit të pushtetit

Arrestimi i Bastës vjen në kohën kur Serbia po përballet me një valë arrestimesh dhe hetimesh, pas humbjes së Partisë Përparimtare Serbe të Aleksandar Vuçiqit në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit.

Gjatë dy javëve të para pas zgjedhjeve, autoritetet arrestuan dhjetëra persona nën dyshimet për korrupsion, keqpërdorim të detyrës zyrtare, manipulime zgjedhore dhe dhunë ndaj studentëve.

Në mesin e të arrestuarve janë edhe rreth 20 zyrtarë policorë, duke përfshirë drejtues të lartë, disa prej të cilëve dyshohen për keqtrajtimin e protestuesve gjatë vitit 2025.

Vetëm dy ditë pas zgjedhjeve, Prokuroria e Lartë Publike formoi një komision për të shqyrtuar punën e të 87 prokurorive në vend.

Kreu i këtij komisioni, Goran Illiq, tha për Radion Evropa e Lirë se disa raste ishin penguar më parë nga policia, prokurorët dhe gjykatat.

Sipas tij, tani është krijuar një klimë më e favorshme për ndjekjen penale të personave të dyshuar, pavarësisht pozitës apo lidhjeve të tyre politike.

Edhe organizata për të drejtat e njeriut, YUKOM, vlerëson se humbja e pushtetit nga partia e Vuçiqit ka dobësuar mundësinë e ndikimit politik mbi prokurorët.

Këto zhvillime po ndodhin ende pa e marrë pushtetin Lista Studentore, e cila fitoi zgjedhjet me premtimin për luftimin e korrupsionit dhe forcimin e institucioneve.