Inspektorati ndalon punimet në Lipjan për shkelje të sigurisë në ndërtim
Inspektorati i Ministrisë së Punës dhe Familjes ka nisur një aksion të gjerë kontrollesh në kantieret e ndërtimit në disa qytete të vendit, pas rasteve të shumta të lëndimeve dhe humbjeve të jetës së punëtorëve në vendpunishte.
Punimet në një ndërtesë banesore në Lipjan u ndaluan përkohësisht nga Inspektorati i Ministrisë së Punës dhe Familjes. Nga inspektimi u konstatua se punëkryerësi nuk i kishte përmbushur të gjitha masat e sigurisë për punëtorët e ndërtimit.
“Sipas vëzhgimeve tona objekti nuk është i pajisur me skele, gjithashtu brenda nuk janë të siguruara hapësirat e liftit, si dhe hapësirat e tjera të cilat janë të ngritura më lart se 1.20, kështu që deri në marrjen e masave dhe përmbushjen e kritereve nga sipërmarrësi, punimet ndalen”, tha Bujar Xhelili, inspektor i Ministrisë së Punës dhe Familjes.
Gjatë ditës së sotme janë inspektuar pothuajse të gjitha ndërtimet e larta në Lipjan. Mangësi në masat e sigurisë në punë u evidentuan edhe në një ndërtesë në rrugën “Mbreti Zog”, ku u shqiptuan vërejtje.
“Gjatë inspektimit i kemi shqiptuar disa masa për parmakët profesionalë të hapësirave brenda, që në një përqindje të vogël nuk janë respektuar dhe është urdhëruar që të ndërmerren gjatë kohës që po e zhvillojmë inspektimin”, thotë Senad Muqaku, inspektor i Ministrisë së Punës dhe Familjes.
Inspektorati i Ministrisë së Punës dhe Familjes, në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Punës, kanë zhvilluar inspektime të punimeve në lartësi edhe në Mitrovicë dhe Gjilan./rtk