Kosova dhe Belgjika nënshkruajnë marrëveshje për eliminimin e tatimit të dyfishtë
Në margjinat e Takimeve Pranverore në Washington, D.C., ministri i Financave i Kosovës, Hekuran Murati dhe zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Financave i Belgjikës, Jan Jambon, kanë nënshkruar marrëveshjen për eliminimin e tatimit të dyfishtë.
Marrëveshja ka të bëjë me tatimet mbi të ardhurat dhe kapitalin, si dhe synon parandalimin e evazionit dhe shmangies tatimore ndërmjet dy vendeve, ka njoftuar Ministria e Financave, transmeton Zeri.info.
Sipas ministrit Murati, kjo marrëveshje krijon kushte më të favorshme për investime dhe lehtëson veprimtarinë e bizneseve që operojnë në të dy shtetet.
Nga ana tjetër, ministri Jambon ka vlerësuar bashkëpunimin me Kosovën dhe ka rikonfirmuar mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës në proceset integruese të vendit.
Marrëveshja konsiderohet si një hap i rëndësishëm në forcimin e partneritetit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Belgjika, si dhe në thellimin e bashkëpunimit bilateral.
Gjatë kësaj jave, Murati po qëndron në Washington, D.C., ku po merr pjesë në Takimet Pranverore të organizuara nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. /Zëri